Shënohet Dita Memoriale e Zyrtarëve të Policisë së Kosovës
Policia e Kosovës ka organizuar sot një sërë aktivitetesh përkujtimore me rastin e Ditës Memoriale të Zyrtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës, në nderim të policëve që sakrifikuan jetën për mbrojtjen e rendit, ligjit, sovranitetit të vendit dhe sigurisë së qytetarëve.
Në ceremonitë përkujtimore morën pjesë përfaqësues të institucioneve më të larta të Republikës së Kosovës, drejtues të Policisë së Kosovës, përfaqësues institucionalë, familjarë të zyrtarëve të rënë dhe qytetarë.
Aktivitetet nisën në orën 10:00 me homazhe shtetërore pranë Lapidarit të Policëve të rënë në oborrin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë në Prishtinë.
Më pas, delegacionet shtetërore bënë homazhe te varri i Heroit Afrim Bunjaku në fshatin Samadrexhë të Vushtrrisë, ndërsa vijuan me një vizitë në familjen e tij.
Në vazhdim të agjendës, përfaqësuesit shtetërorë vizituan edhe familjen e Heroit Enver Zymeri në Vushtrri, për të shprehur respektin dhe mirënjohjen për sakrificën e tij në shërbim të vendit.
Aktivitetet përfunduan me homazhe pranë lapidarit në vendin e rënies së Heroit Enver Zymeri, në Varagë të Zubin Potokut.
Dita Memoriale e Zyrtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në detyrë shërben si kujtesë e përhershme për sakrificën dhe përkushtimin e zyrtarëve policorë, të cilët humbën jetën duke mbrojtur rendin kushtetues, sigurinë publike dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.