Erërat e forta shkaktojnë dëme edhe në bletari në Klinë

Erërat e forta shkaktojnë dëme edhe në bletari në Klinë

Aktuale July 21, 2026 - 21:40

Erërat e forta dhe breshëri që përfshinë të hënën disa zona të Kosovës kanë shkaktuar dëme edhe në sektorin e bletarisë.

Bletari nga Klina, Nexhat Krasniqi, ka bërë të ditur se moti i lig ka dëmtuar një nga pikat ku i kishte të vendosura kosheret e bletëve në fshatin Dush.

Përmes një reagimi, ai tha se erërat e fuqishme, të shoqëruara me breshër, shkaktuan dëme të konsiderueshme në kosheret e bletëve, ndërsa rikthimi i tyre në vendin e mëparshëm ka qenë i vështirë.

"Në disa zona të caktuara, fatkeqësitë natyrore, si erërat e forta të shoqëruara me breshër, kanë shkaktuar dëme të mëdha në shumë kultura bujqësore. Në rastin tonë, dëmin më të madh e pësuan bletët në njërën nga pikat ku i kemi të vendosura kosheret. Intervenimi për ripozicionimin e koshereve në vendin ku ishin më parë u shoqërua me shumë sfida, por falë angazhimit arritëm t'i vendosim sërish", ka shkruar Krasniqi.

Moti i paqëndrueshëm, i shoqëruar me reshje të dendura dhe erëra të forta, ka shkaktuar dëme materiale në disa komuna të Kosovës, ndërsa autoritetet po vazhdojnë vlerësimin e pasojave.