Mediat serbe dezinformojnë për rrënimin e vilave ilegale në Ujman, aksionin e paraqesin si të drejtuar kundër serbëve
Aksioni për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje në pronën e Ndërmarrjes Publike Hidroekonomike “Ibër-Lepenc” në zonën e Liqenit të Ujmanit nuk i shpëtoi dezinformit serb.
Si një veprim të motivuar etnikisht dhe të drejtuar “ekskluzivisht kundër serbëve” u munduan ta paraqesin aksionin, për të cilin pronarët e vilave ishin paralajmëruar që t’i largonin gjërat deri më 17 korrik.
Në raportimet e artikujt e publikuar të martën, “Novosti”, “RT Balkan”, “Sputnik Serbia” dhe “RTS” përdorën tituj dhe formulime që krijojnë përshtypjen se institucionet e Kosovës po ndërmarrin një aksion kundër serbëve, duke anash kaluar faktin se bëhet fjalë për zbatim të vendimeve për largimin e ndërtimeve pa eje në pronë publike.

Gazeta Novosti publikoi titullin: “Me makineri të rënda dhe tuba të gjatë dëbojnë serbët: Njerëzit e Kurtit po rrënojnë shtëpitë e pushimit të popullit tonë në Gazivodë”, duke e shoqëruar aksionin me pretendime se po zhvillohet një fushatë kundër serbëve.

Në të njëjtën linjë ishte edhe “RTS” me titullin “Ka nisur rrënimi i shtëpive të pushimit në pronësi të serbëve në Gazivodë, asiston e ashtuquajtura policia e Kosovës”, ndërsa në një tjetër publikim përdori formulimin “Ka nisur rrënimi i shtëpive të pushimit në bregun e Gazivodës, të pranishme forca të shumta policore”.
Kësisoj ky medium u mundua të shtrembërojë të vërtetën, duke u munduar po ashtu të krijojë edhe panik duke thënë se “ka forca të shumta policore”.

Edhe Sputnik Serbia dhe RT Balkan përdorën narrativa të ngjashme, duke e paraqitur aksionin si rrënim të “shtëpive të pushimit të serbëve”, pa ofruar kontekstin mbi bazën ligjore të ndërhyrjes.

Megjithatë, faktet tregojnë se aksioni nuk është i kufizuar vetëm në zonën e Ujmanit dhe nuk lidhet me përkatësinë etnike të pronarëve. Madje, raportime lidhur me rrënimin e vilave ilegale pati në mediat e Kosovës gjatë gjithë ditës. Në disa video të publikuara shihen madje persona tek largojnë gjësende nga këto vila edhe sot, ndërkohë që afati për largimin e tyre kishe qenë 17 korriku.
Sipas Ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, objekti i aksionit janë ndërtimet e ngritura në parcelat e kësaj ndërmarrjeje.
Kryeshefi ekzekutiv Faruk Mujka ka bërë të ditur se 11 personave u ishte kërkuar zyrtarisht të lironin objektet e ndërtuara në pronën e “Ibër-Lepencit”, pasi ato konsiderohen të ndërtuara pa leje.
“Ekzekutimi i vendimeve po kryhet nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, me asistimin e Policisë së Kosovës”, ka bërë të ditur ai.
Vetë Mujka kishte deklaruar më herët se verifikimi i pronave dhe largimi i ndërtimeve pa leje nuk do të kufizohej vetëm në komunën e Zubin Potokut, por do të përfshinte të gjitha komunat ku shtrihet infrastruktura e “Ibër-Lepencit”.
Institucionet e Kosovës kanë ndërmarrë edhe më herët aksione të ngjashme për largimin e ndërtimeve pa leje në zona të tjera turistike dhe të mbrojtura, çka tregon se zbatimi i masave nuk është i kufizuar në pronat e një komuniteti të caktuar.
Pikërisht ky kontekst mungon në raportimet e mediave serbe. Duke përdorur formulime si “dëbojnë serbët”, “rrënimi i shtëpive të serbëve” apo “njerëzit e Kurtit”, ato e paraqesin aksionin si një veprim me motiv etnik, ndërsa nuk informojnë se ndërhyrja bazohet në pretendimet për uzurpim të pronës publike dhe se autoritetet kanë paralajmëruar se procedurat do të zbatohen në të gjitha zonat ku evidentohen ndërtime pa leje.
Kjo e bën raportimin selektiv dhe çon në krijimin e një narrative të rreme se aksioni është ekskluzivisht i drejtuar kundër serbëve, ndërkohë që vetë autoritetet kanë deklaruar se bëhet fjalë për zbatim të ligjit ndaj objekteve të ndërtuara në pronë publike, pavarësisht identitetit të pronarëve./TheGeoPost
