KDI-ja kërkon që sa më parë të caktohet data e seancës konstituive të Kuvendit
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë thirrje ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, që pas përfundimit të konsultimeve me subjektet politike parlamentare të caktojë sa më parë datën e mbajtjes së seancës konstituive të Kuvendit.
Sipas KDI-së, pas certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit ka nisur afati kushtetues për konstituimin e legjislaturës së re, ndërsa afati prej 30 ditësh duhet të konsiderohet si kufiri maksimal dhe jo si periudhë pritjeje.
“Presidentja në detyrë ka përgjegjësi institucionale që të shmangë çdo vonesë të panevojshme dhe të sigurojë që procesi i konstituimit të Kuvendit të fillojë në kohë dhe në përputhje me interesin publik”, thuhet në reagimin e KDI-së.
Instituti vlerëson se, pas një periudhe të gjatë me institucione në detyrë, Kosovës i nevojiten institucione me mandat të plotë, të afta për të ushtruar përgjegjësitë e tyre kushtetuese dhe për t'iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.
KDI paralajmëron se përvojat e kaluara kanë treguar se vonesat në konstituimin e institucioneve mund të shkaktojnë bllokada dhe të dëmtojnë funksionimin normal të shtetit.
Për këtë arsye, organizata kërkon nga ushtruesja e detyrës së Presidentes që:
- të caktojë sa më parë datën e seancës konstituive, në mënyrë që procesi të përfundojë përpara afatit kushtetues të 7 gushtit;
- t'u bëjë thirrje publike partive parlamentare që të marrin pjesë në mënyrë konstruktive, në mënyrë që seanca të përfundojë me konstituimin e Kuvendit;
- të informojë publikun brenda 48 orëve se kur do të përfundojnë konsultimet dhe kur pritet të shpallet data e seancës konstituive.
Sipas KDI-së, konstituimi i Kuvendit është parakusht për formimin e Qeverisë së re, zgjedhjen e Presidentit të ri dhe rikthimin e funksionimit të plotë të rendit kushtetues në vend./Zëri