Albulena Haxhiu dekreton Zejnullah Gashin si Kryeprokuror të ri të Shtetit
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovë, Albulena Haxhiu ka dekretuar sot Zejnullah Gashin në detyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, duke përmbyllur procedurën kushtetuese dhe ligjore të emërimit të tij në krye të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës.
Në njoftim nga Këshilli Prokurorial, thuhet se dekretimi i Kryeprokurorit të Shtetit vjen pas propozimit të bërë nga Këshilli Prokurorial i Kosovës, i cili, në mbështetje të dispozitave kushtetuese dhe ligjore, e kishte nominuar z. Zejnullah Gashi për këtë funksion pas përfundimit të procedurës së vlerësimit dhe votimit.
Kryeprokurori i sapodekretuar do të udhëheqë institucionin e Prokurorit të Shtetit për një mandat shtatë (7) vjeçar, duke marrë përgjegjësinë për forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e efikasitetit dhe profesionalizmit të sistemit prokurorial, si dhe garantimin e ushtrimit të pavarur, të paanshëm dhe të përgjegjshëm të funksionit prokurorial, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës”
“Këshilli Prokurorial i Kosovës i uron z. Zejnullah Gashi suksese në ushtrimin e mandatit të tij si Kryeprokuror i Shtetit, duke shprehur besimin se, përmes bashkëpunimit institucional dhe angazhimit profesional, do të vazhdojë fuqizimi i integritetit, transparencës dhe besimit të qytetarëve në sistemin prokurorial”, thuhet në njoftim. /Zëri