Çitaku reagon ndaj ministres serbe: S’është mposhtur ideologjia e gjenocidit
Foto: Laura Hasani

Çitaku reagon ndaj ministres serbe: S’është mposhtur ideologjia e gjenocidit

Aktuale July 14, 2026 - 17:19

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, reagoi ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila tha se, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.

Çitaku tha se një deklaratë e tillë dëshmon se, sipas saj, ideologjia që prodhoi gjenocid, masakra dhe dëbime masive ende nuk është mposhtur në Serbi, duke shtuar se zërat që glorifikojnë krimet vazhdojnë të kenë vend në institucionet serbe.

Ajo theksoi se, pavarësisht epërsisë ushtarake që Serbia kishte gjatë luftës në Kosovë, nuk arriti ta mposhtte vullnetin e qytetarëve për liri.

“Në vitin 1998 e 1999, Serbia ishte shumëfish më e madhe, më e armatosur dhe më e fuqishme ushtarakisht. Ne ishim pala më e dobët në armë, por jo në shpirt. Humbëse nuk ishte Kosova. Sepse nuk ka forcë më të madhe se zemra e një njeriu që është i gatshëm të sakrifikojë gjithçka për lirinë. Nuk ka ushtri që e mposht vullnetin e një populli që ka vendosur të jetojë i lirë. Kosova nuk u gjunjëzua atëherë. Nuk do të gjunjëzohet as sot. As nesër. As kurrë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve dhe martirëve të Kosovës”, deklaroi Çitaku.