MPB-ja publikon statistikat për qershor: Lëshohen 872 leje qëndrimi të përkohshme, 292 persona fitojnë shtetësinë e Kosovës
Foto: Laura Hasani

MPB-ja publikon statistikat për qershor: Lëshohen 872 leje qëndrimi të përkohshme, 292 persona fitojnë shtetësinë e Kosovës

Aktuale July 10, 2026 - 13:34

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka publikuar raportin statistikor për muajin qershor 2026, i cili përfshin të dhëna mbi shtetësinë, migracionin, azilin dhe leje qëndrimet në Kosovë.

Sipas raportit, gjatë muajit qershor janë lëshuar gjithsej 872 leje qëndrimi të përkohshme dhe 12 leje qëndrimi të përhershme.

Në fushën e shtetësisë, MPB-ja bën të ditur se janë marrë 100 vendime për lirim nga shtetësia e Kosovës.

Ndërkohë, për fitimin e shtetësisë janë regjistruar 292 vendime pozitive dhe 257 vendime negative, ndërsa për rifitimin e shtetësisë janë marrë 556 vendime pozitive dhe 9 vendime negative.

Sa i përket migracionit dhe mbrojtjes ndërkombëtare, gjatë qershorit në Qendrën e Përkohshme të Pritjes për Migrantë janë akomoduar 72 migrantë, ndërsa në Qendrën e Azilit janë regjistruar 8 aplikime për azil.

Raporti po ashtu tregon se gjatë kësaj periudhe nuk është regjistruar asnjë person i ndaluar në Qendrën e Mbajtjes për të Huaj.

Sipas MPB-së, raporti përmbledh të dhënat mujore të Departamentit për Natyralizim, Azil dhe Migracion, duke pasqyruar aktivitetet institucionale në këto fusha gjatë muajit qershor 2026. /Zëri

Image