PDK-ja del me komunikatë për ftesën e Kurtit
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka konfirmuar se kryetari i saj, Bedri Hamza, do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për të marrë pjesë në takimin e nesërm, ku pritet të diskutohet për tejkalimin e krizës institucionale.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Kryesisë së PDK-së, ku u shqyrtua ftesa e dërguar nga Kurti pas certifikimit të rezultateve zgjedhore.
Në njoftimin e saj, PDK thekson se e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare që i drejtohet.
“Partia Demokratike e Kosovës e trajton me seriozitet çdo kërkesë zyrtare që i drejtohet dhe konsideron se çdo iniciativë që synon funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës meriton të dëgjohet dhe të vlerësohet me përgjegjësi, prandaj kryetari Bedri Hamza do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për të marrë pjesë në takimin e nesërm, që të dëgjojë se çfarë zgjidhjeje konkrete ofron z. Kurti për tejkalimin e krizës institucionale”, thuhet në komunikatë.
PDK rithekson se përgjegjësia për krijimin e institucioneve i takon subjektit fitues të zgjedhjeve.
“PDK rithekson se përgjegjësia kushtetuese dhe politike për formimin e institucioneve i takon partisë që ka dalë e para në zgjedhje. Për këtë arsye, pret që z. Kurti të paraqesë planin e tij për krijimin e institucioneve dhe sigurimin e shumicës së nevojshme”, thekson partia.
Sipas PDK-së, ecuria e mëtejshme e procesit do të varet nga serioziteti i ofertës që do të paraqitet në takim.
“Çdo zhvillim i mëtejmë do të varet nga serioziteti i këtij procesi, respektimi i rendit kushtetues dhe gatishmëria për të ofruar zgjidhje konkrete në interes të Republikës së Kosovës dhe jo nga kalkulimet politike apo përpjekjet për ta shpërndarë përgjegjësinë te opozita”, thuhet më tej.
Në fund, PDK riafirmon se nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj politik.
“Partia Demokratike e Kosovës mbetet e palëkundur në qëndrimet e saj politike dhe do të vazhdojë të mbrojë interesin qytetar dhe shtetëror, duke vepruar me përgjegjësi dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, përfundon njoftimi.