Hamza pranon takimin me Kurtin: Kosova ka nevojë urgjente për krijimin e institucioneve
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, i është përgjigjur ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim me liderët e partive politike, duke thënë se është i gatshëm të marrë pjesë në diskutime për krijimin e institucioneve të vendit.
Pas mbledhjes së PDK-së, Hamza tha se situata aktuale kërkon përgjegjësi politike, pasi sipas tij Kosova po përballet me vakum institucional dhe mungesa e stabilitetit po e dëmton vendin.
“Po flasim për krijimin e institucioneve të vendit. Kosova po përballet me vakum institucional dhe kjo mungesë e stabilitetit është duke e dëmtuar vendin. Prandaj, duke e ditur seriozitetin e situatës, mendoj se secili prej nesh duhet të sillet në atë mënyrë. Ftesa duhet të dërgohet ashtu siç e kërkon rendi, nga kryetari që ka më së shumti ulëse në Kuvend. Ftesa për takim është për sot në orën 17:00. Unë do të sillem në mënyrë të përgjegjshme. Nuk jam kundër takimeve. Para se të flasim për pozita, janë më të rëndësishme prioritetet dhe adresimi i sfidave që i ka Kosova. Nëse nuk dakordohemi për këto, unë ia ktheva shkresën që PDK-ja të takohet në orën 09:00 nesër”, tha Hamza. /klankosova