Haxhiu dekoron me Medalje Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg për kontributin në Kosovë

Haxhiu dekoron me Medalje Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg për kontributin në Kosovë

Aktuale July 10, 2026 - 15:11

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekoruar me Medaljen Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Këtë e bëri të ditur Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook, duke shkruar se në përfundim të mandatit të tij si atashe i Mbrojtjes i SHBA-së në Kosovë, e falënderoi për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së.

“Sot pata kënaqësinë ta dekoroj me Medaljen Presidenciale Ushtarake kolonelin A. J. Berg, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e partneritetit strategjik dhe bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në përfundim të mandatit të tij si atashe i Mbrojtjes i SHBA-së në Kosovë, e falënderova për angazhimin e tij të palëkundur në mbështetjen e zhvillimit dhe modernizimit të FSK-së, avancimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes mes dy vendeve tona”, shkroi Haxhiu.