Mungesa e prokurorëve, Gërvalla: KPK-ja ta marrë seriozisht këtë çështje, po pamundësohet përshpejtimi i lëndëve
Foto: Laura Hasani

Mungesa e prokurorëve, Gërvalla: KPK-ja ta marrë seriozisht këtë çështje, po pamundësohet përshpejtimi i lëndëve

Aktuale June 18, 2026 - 13:14

Në raportet e publikuara nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në muajin e kaluar është identifikuar se mungesa e numrit të mjaftueshëm të prokurorëve në Kosovë po shkakton zvarritje të rasteve në gjykata dhe mbingarkesë të sistemit.

Për këtë çështje, ministrja në detyrë e drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se kjo çështje i takon Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Sipas saj, përzgjedhja dhe përcaktimi i numrit të prokurorëve bëhet nga KPK-ja, në kuadër të ndarjes së pushteteve, ndërsa roli i qeverisë është të ndërmarrë reforma ligjore në fushën e drejtësisë.

“Jo, besoj se e dini që çështja e prokurorëve dhe numrit të prokurorëve është një çështje me të cilën ekskluzivisht merret Këshilli Prokurorial i Kosovës. Ata bëjnë përzgjedhjen, ata bëjnë përcaktimin, në pushtetet e ndara që kemi. Unë si Ministre e Drejtësisë angazhohem për reforma të fuqishme në fushën e drejtësisë. Ju e dini që tashmë i kemi gati pesë ligje, të cilat presin Kuvendin e ri që të kalojnë, dhe të cilat përcaktojnë saktë edhe, e qartësojnë shumë edhe detyrat dhe përgjegjësitë, por edhe të drejtat, edhe të gjyqtarëve, edhe të prokurorëve. Kjo është pjesa që bën qeveria. Ndërsa, implementimi i këtyre ligjeve ju takon, KPK-së dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK)”, u shpreh Gërvalla.

Gërvalla ka theksuar se mungesa e prokurorëve është një problem real dhe i pranishëm në terren, i evidentuar gjatë vizitave të saj në gjykata dhe prokurori të ndryshme.

“Është shumë e vërtetë që ka një mungesë të theksuar të prokurorëve. Ju e dini që sapo është mbajtur provimi me shkrim, para Komisionit të Jurisprudencës. Mendoj që është shumë e rëndësishme që çdo vit të kemi gjenerata të reja, nga të cilat mund të rekrutojnë Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor sa më shumë profesionistë të rinj, edhe kështu gjërat ecin përpara”, tha ajo.

Ajo ka shtuar se, edhe në rastet kur ka mjaftueshëm gjyqtarë, mungesa e prokurorëve po e pamundëson përshpejtimin e procedurave.

“Pra, çështjen e numrit e di, sepse kam vizituar shumë gjykata, shumë prokurori gjatë këtyre muajve, edhe më është shfaqur si shqetësim. Mirëpo, Këshilli Prokurorial i Kosovës, jam shumë e sigurt që e merr seriozisht këtë temë edhe së shpejti duhet të rritet numri, sepse vonesat po shkaktohen edhe atëherë kur kemi mjaftueshëm gjyqtarë, mirëpo numri i vogël i prokurorëve po e pamundëson, përshpejtimin e lëndëve”, tha Gërvalla.

Në një përgjigje me shkrim për Ekonominë Online, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës Arian Gashi ka treguar arsyen se pse ka mungesë të prokurorëve.

“Mosaprovimi për rritjen e numrit të prokurorëve në raport me rritjen e numrit të gjyqtarëve, i cili viteve të fundit ka shënuar rritje në raport me atë të prokurorëve”, tha Gashi.

I pyetur se pse është një fenomen i tillë dhe se a lidhet me dorëheqje, pensionim të prokurorëve ose mosinteres, Gashi tha se jo nuk është asnjëra prej tyre.

“Jo në asnjë mënyrë kjo për faktin se të gjitha dorëheqjet, pensionimet e prokurorëve gjithmonë zëvendësohen me prokurorë të rinj. Ndërsa sa i përket mosinteresimit përkundrazi është e kundërta për shkak se në çdo proces të ri të shpalljes për prokurorë të rinj ka numër të madh të juristëve të rinj që aplikojnë, me qindra prej tyre për pak vende të shpallura”, tha Gashi.

Ndërkaq Gashi tha se dështime të konkurseve nuk ka pasur përveç një shpalljeje që është anuluar në fazën e intervistimit të kandidatëve, për shkak të shkeljeve që ka bërë Komisioni i Ankesave.

“Dështime deri më tani nuk ka pasur në konkurse përveç shpalljes së fundit që është anuluar në fazën e intervistimit të kandidatëve dhe atë për shkak të shkeljeve që i ka bërë Komisioni i Ankesave i shkallës së dytë që kanë pasur për pasojë anulimin e konkursit nga KPK-ja”, tha Gashi për EO-në.

Gashi ka treguar se cilat janë vendet që karakterizohen me më së shumti mungesë të prokurorëve.

“Nga analiza e fundit që është bërë nga Komisioni për Çështje Normative dhe Komisioni për Buxhet, Financa dhe Administrim të Prokurorive, analizë kjo, e cila u publikua dje gjatë takimit të rregullt të KPK-së, ka dalë që më së keqi për nga numri i vogël i prokurorëve në raport me numrin e lëndëve dhe numrin e seancave gjyqësore del të jenë Prishtina, Gjakova dhe Mitrovica”, tha Gashi.

Ndërkaq për zgjidhjen e këtij problemi Gashi tha se duhet aprovim nga Qeveria të hapen pozita të reja dhe jo vetëm për prokurorë.

“Për të pasur më shumë prokurorë duhet aprovim nga Ekzekutivi i pozitave të reja dhe jo vetëm për prokurorë, por edhe për staf mbështetës, buxhet shtesë të miratuar nga Legjislativi”, tha Gashi.