Kurti: Presidentin nuk mund ta bëjmë vetëm, nevojiten 80 deputetë në sallë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se pas përfundimit të procesit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve zgjedhore, prioritet do të jetë konstituimi sa më i shpejtë i institucioneve të legjislaturës së re.
Kurti theksoi se fillimisht duhet të përmbyllet procesi zgjedhor, para se të nisin hapat për formimin e institucioneve të reja.
“Tash është duke u përmbyllur procesi i numërimit të të gjitha votave, andaj le të presim këto ditë. Nuk e di a do të ketë ankesa, bëhet certifikimi, dhe natyrisht që ne jemi të interesuar që pa humbur kohë të hyjmë në fazën e ardhshme që është konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të, sa më shpejt aq më mirë”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Kurti theksoi se kjo nuk mund të realizohet vetëm nga një subjekt politik dhe kërkon bashkëpunim me opozitën.
“Për çështjen e presidentit nuk mund ta bëjmë vetëm, nevojiten 80 deputetë në sallë në kuorum, në bazë të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese… neve na duhet bashkëpunimi. Ne do të përpiqemi për sa më shumë bashkëpunim me opozitën”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se në të kaluarën kanë ekzistuar oferta për bashkëqeverisje nga Lëvizja Vetëvendosje, por sipas tij ato janë refuzuar nga partitë opozitare, duke theksuar nevojën për një qasje më bashkëpunuese në të ardhmen.