Kushtetuesja rrëzon vendimin e Supremes për koordinatorin kombëtar, konstaton cenim të pavarësisë së KPK-së
Foto: Laura Hasani

Kushtetuesja rrëzon vendimin e Supremes për koordinatorin kombëtar, konstaton cenim të pavarësisë së KPK-së

Aktuale June 16, 2026 - 13:00

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI331/25, të parashtruar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), duke shpallur të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme, që kishte shfuqizuar Rregulloren nr. 04/2025 për koordinatorin kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik.

Sipas aktgjykimit, Kushtetuesja njëzëri vendosi ta shpallë kërkesën të pranueshme, të konstatojë shkelje të Nenit 31 të Kushtetutës për të drejtën në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe të nenit 110 që garanton pavarësinë e Këshillit Prokurorial të Kosovës. Gjykata gjithashtu konstatoi shkelje të Nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e shpalli të pavlefshëm aktgjykimin e Gjykatës Supreme dhe e ktheu çështjen për rishqyrtim.

Rasti lidhet me ndryshimet e miratuara nga KPK-ja në prill të vitit 2025, përmes të cilave u përcaktua që mandati i Koordinatorit Kombëtar të jetë trevjeçar, me mundësi rizgjedhjeje edhe për një mandat tjetër pas vlerësimit pozitiv të punës. Pas hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, prokurori Shqipdon Fazliu, i cili ushtronte detyrën e Koordinatorit Kombëtar që nga viti 2013, kishte paraqitur padi në Gjykatën Supreme, duke kundërshtuar ndryshimet si retroaktive.

Gjykata Supreme kishte aprovuar padinë e Fazliut dhe kishte shfuqizuar Rregulloren nr. 04/2025, duke vlerësuar se KPK-ja nuk mund të ndryshonte në mënyrë të njëanshme pozitën e Koordinatorit Kombëtar pa koordinim me institucionet nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit.

Megjithatë, Kushtetuesja arriti në përfundimin se Kushtetuta dhe Ligji për Këshillin Prokurorial nuk e obligojnë KPK-në të konsultohet me institucione të tjera për çështje që lidhen me organizimin e saj të brendshëm dhe emërimet në pozita të caktuara. Sipas Gjykatës, KPK-ja gëzon pavarësi në organizimin e brendshëm, për aq kohë sa respekton Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi.

Kushtetuesja vlerësoi gjithashtu se rasti nuk mund të krahasohej me rastet e mëparshme KO100/22 dhe KO101/22, pasi pozita e Koordinatorit Kombëtar nuk kishte mandat të përcaktuar qartë me ligj apo me rregulloren e vitit 2013, ndërsa mandati i përhershëm i Fazliut mbetej ai i prokurorit.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese konstatoi se aktgjykimi i Gjykatës Supreme nuk i kishte përmbushur standardet e një gjykimi të drejtë, për shkak të interpretimit arbitrar të ligjit, duke cenuar njëkohësisht edhe pavarësinë kushtetuese të Këshillit Prokurorial të Kosovës. /Zëri