Inspektorati i Punës apelon për kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta

Inspektorati i Punës apelon për kujdes të shtuar gjatë temperaturave të larta

Aktuale June 16, 2026 - 13:23

Inspektorati i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve dhe punëmarrësve, veçanërisht atyre që punojnë në kantiere ndërtimi dhe ambiente të hapura, të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë dhe shëndetin në punë gjatë ditëve me temperatura të larta.

Në njoftimin e publikuar theksohet se temperaturat e larta paraqesin rrezik serioz për shëndetin e punëtorëve, andaj kërkohet respektimi i masave të sigurisë dhe kushteve të punës.

“Është e domosdoshme që të respektohen masat e sigurisë dhe kushtet e punës, duke siguruar pushime të rregullta, furnizim të mjaftueshëm me ujë të pijshëm, mbrojtje nga ekspozimi i drejtpërdrejtë në diell dhe organizim të punës në mënyrë që të minimizohen rreziqet nga vapa”, thuhet në njoftim.

Inspektorati ka ftuar punëdhënësit që të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme parandaluese, ndërsa punëtorët të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë çdo situatë që mund të cenojë sigurinë dhe shëndetin e tyre në vendin e punës.

Po ashtu, Institucioni ka bërë të ditur se do të vazhdojë realizimin e inspektimeve dhe monitorimin e zbatimit të legjislacionit në fuqi, ndërsa ndaj subjekteve që nuk respektojnë masat e sigurisë do të ndërmerren veprimet ligjore përkatëse.

“Siguria dhe shëndeti në punë janë përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të mbeten prioritet në çdo kohë”, thekson Inspektorati i Punës. /Zëri