Përkujtohet 27-vjetori i masakrës së familjes Gërxhaliu në Studime të Vushtrrisë
Në fshatin Studime të Vushtrrisë është përkujtuar 27-vjetori i masakrës së familjes Gërxhaliu, ku forcat serbe vranë dhe masakruan 12 anëtarë të saj.
Me homazhe pranë lapidarit përkujtimor, familjarë, qytetarë dhe përfaqësues institucionalë nderuan kujtimin e martirëve të familjes Gërxhaliu, të cilët humbën jetën në një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë.
Në mesin e viktimave kishte fëmijë, gra, burra dhe të moshuar, ndërsa sakrifica dhe vuajtja e kësaj familjeje mbeten pjesë e kujtesës kolektive të qytetarëve të Vushtrrisë dhe mbarë Kosovës.
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka thënë se me nderim dhe përulësi, përkujtuan anëtarët e familjes Gërxhaliu, duke bërë homazhe pranë lapidarit në fshatin Studime, në shenjë respekti për jetën dhe sakrificën e tyre.
“Kujtimi për familjen Gërxhaliu mbetet i përhershëm dhe na kujton çmimin që si popull kemi paguar për lirinë dhe shtetin që gëzojmë sot.”, ka shkruar ai.