Mot i ndryshueshëm gjatë javës, temperatura mbi mesatare dhe reshje lokale
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se java e parë e qershorit do të karakterizohet nga mot i ndryshueshëm, me intervale me diell dhe zhvillim të vranësirave konvektive.
Sipas parashikimit për periudhën 1–5 qershor, vranësirat vende-vende do të sjellin reshje lokale shiu, të shoqëruara me shkarkesa elektrike dhe, lokalisht, edhe breshër. Temperaturat do të mbeten mbi mesataren klimatologjike për këtë periudhë, ndërsa lagështia në tokë do të jetë e favorshme për shumicën e kulturave bujqësore.
IHMK njofton se cilësia e ajrit pritet të mbetet kryesisht e mirë, ndërsa indeksi UV gjatë orëve të mesditës do të arrijë vlera të larta, për çka rekomandohet kujdes i shtuar gjatë ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell.
Për ditën e hënë parashihet mot me diell dhe vranësira të shpërndara. Gjatë ditës, vranësirat do të zhvillohen dhe në disa zona do të sjellin reshje shiu me rrufe, ndërsa ekziston mundësia edhe për breshër.
Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9 dhe 12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës ndërmjet 26 dhe 29 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 11 metra në sekondë.