Kurti refuzon kërkesën e LDK-së për presidentin: Nuk mund ta zëvendësojmë vullnetin e popullit
Foto: Laura Hasani

Kurti refuzon kërkesën e LDK-së për presidentin: Nuk mund ta zëvendësojmë vullnetin e popullit

Aktuale August 07, 2026 - 15:53

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, ka deklaruar se takimi me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është zhvilluar në një atmosferë të hapur dhe të sinqertë, por pa rezultuar me një marrëveshje politike.

Ai tha se gjatë takimit është diskutuar për mundësitë dhe vështirësitë e konstituimit të institucioneve, pas betimit të deputetëve në Kuvend.

“Takimi ishte i hapur, i sinqertë. Diskutuam për mundësitë dhe vështirësitë e konstituimit të institucioneve, meqenëse dje u bë betimi i deputetëve, të cilët përfaqësojnë vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhje”, tha Kurti.

Sipas tij, ende nuk është arritur një marrëveshje politike, por ai mbetet i bindur se duhet të ketë përqendrim në shmangien e zgjedhjeve të reja, transmeton Zeri.info.

“Nuk kemi ende marrëveshje politike. Jam i bindur që përqendrueshmëria përpara, që nënkupton evitimin e zgjedhjeve të reja, të cilat do të ishin të panevojshme dhe të dëmshme, nuk është e mundur pa një marrëveshje edhe për çështjen e presidentit apo presidentes”, deklaroi ai.

Kurti tha se përvoja e mëhershme ka dëshmuar se nuk është e mjaftueshme të ketë marrëveshje vetëm për formimin e institucioneve ekzekutive.

“Në kushtet kur zgjedhim kryetarin e Kuvendit, nënkryetarët dhe qeverinë, por më pas vijmë sërish te zgjedhja e presidentit, kjo është një formulë e provuar”, u shpreh ai.

Kryetari i LVV-së theksoi se dallimet mes dy partive mbeten të mëdha.

“Marrëveshjen politike nuk e kemi ende. Pritjet janë të ndryshme, qëndrimet nuk përputhen dhe është bindja ime se ka një dallim drastik midis rezultatit zgjedhor dhe kërkesave të LDK-së. Ne nuk mund të bëjmë një marrëveshje që do ta zëvendësonte vullnetin e popullit”, tha Kurti.

Ai shtoi se çdo marrëveshje duhet të pasqyrojë rezultatin e zgjedhjeve dhe raportin e forcave në Kuvend.

“Ne duhet ta reflektojmë në marrëveshjen politike raportin që kemi me ulëse në Kuvend, sepse ai është rezultat i vullnetit të qytetarëve në zgjedhjet demokratike”, deklaroi ai.

Kurti bëri të ditur se LVV-ja mbetet e interesuar për një bashkëqeverisje me LDK-në.

“Ne jemi të interesuar të qeverisim me LDK-në dhe njëkohësisht ajo t’i ketë edhe resorët e vet ministrorë, pozitën e zëvendëskryeministrit dhe disa ministri”, tha Kurti. /Zëri