Abdixhiku: Jemi shumë larg marrëveshjes, pa balancë institucionale s’ka ujdi politike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, palët mbeten larg arritjes së një marrëveshjeje për tejkalimin e ngërçit politik.
Abdixhiku tha se nuk ka zhvillime të reja nga takimi, duke theksuar se distanca mes dy partive vazhdon të jetë e madhe.
“Nuk kam lajme të reja, por jemi shumë, shumë larg marrëveshjes”, ka thënë Abdixhiku.
Ai ka insistuar se për LDK-në nuk ka arsye që të shtyhet konstituimi i institucioneve dhe zgjedhja e kryetarit e Kryesisë së Kuvendit.
“Për LDK-në dhe mua nuk ka asnjë arsye të vonohet konstituimi dhe të zgjidhet kryetari, kryesia. Sot duhet të ketë seancë. Është përgjegjësi e partisë së parë”, është shprehur ai.
Kreu i LDK-së ka paralajmëruar se zvarritja e procesit e bën më të vështirë arritjen e një marrëveshjeje politike.
“Në çështje tjera, sa më shumë që vonohemi, natyrisht që marrëveshja bëhet më e vështirë. Nuk kam lajme të reja dhe ju them që jemi shumë, shumë larg marrëveshjes”, ka deklaruar Abdixhiku.
Sipas tij, një marrëveshje nuk mund të arrihet pa një balancë institucionale mes palëve.
“Përderisa nuk ka balancë institucionale, nuk ka marrëveshje politike. Jam përpjekur me vullnet të mirë. Lehtë është të shkaktohen zgjedhje të reja. Qëllimi im dhe i LDK-së ka qenë të gjendet zgjidhje, jo kush kë po e mund, e mashtron apo e vonon”, ka shtuar ai.
Abdixhiku ka thënë se aktualisht procesi politik ndodhet në një pikë të vështirë.
“Me keqardhje të madhe them se jemi në një rrugë që nuk ka zgjidhje”, ka përfunduar kryetari i LDK-së.