Raporti i IKD-së: Nga 902 kandidatë për deputetë, 25 të përfshirë në vepra penale
Më 7 qershor 2026 në Kosovë do të mbahen zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Për këtë proces zgjedhor Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 21 subjekte politike dhe gjithsej 902 kandidatë për deputetë.
Sikurse edhe në proceset e mëhershme zgjedhore, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), bazuar në të dhënat e monitorimit të proceseve gjyqësore, ka publikuar raportin “Integriteti i listave zgjedhore – Zgjedhjet e parakohshme parlamentare 7 qershor 2026”. Në këtë raport janë paraqitur kandidatët për deputetë që janë të përfshirë në raste penale.
Sipas këtyre të dhënave, të prezantuara nga hulumtuesi i lartë në IKD, Gzim Shala, del se nga 902 kandidatët e certifikuar për deputetë, 25 prej tyre, apo 2.77%, janë persona të përfshirë në raste penale. Prej tyre, 15 kandidatë kanë aktakuza aktive, ndërsa 13 kandidatë kanë dënime penale të formës së prerë. Po ashtu, për tre (3) kandidatë është evidentuar se, përveç dënimeve penale të mëhershme, kanë edhe aktakuza aktive.
Ndërkaq, Shala ka shtuar se në raport mund të ketë edhe raste të rehabilitimit ligjor.
“Sipas subjekteve politike, bazuar në të dhënat e monitorimit, rezulton se, në raport me tërësinë e 902 kandidatëve të certifikuar për deputetë, LVV-ja ka numrin dhe peshën më të madhe të kandidatëve të përfshirë në raste penale, me 13 kandidatë, apo 1.44% të numrit të përgjithshëm të kandidatëve. Pas saj renditen AAK-ja dhe LS-ja me nga tre (3) kandidatë, apo me nga 0.33% të totalit të kandidatëve. KDTP ka dy (2) kandidatë të përfshirë në raste penale, që përbëjnë 0.22% të totalit, ndërsa PSD-ja, PDK-ja, SDU-ja dhe IRDK-ja kanë nga një (1) kandidat, apo nga 0.11% të numrit të përgjithshëm prej 902 kandidatëve”, ka thënë Shala.
Në aspektin e veprave penale, sipas kapitujve të Kodit Penal, sipas raportit dominojnë veprat që ndërlidhen me korrupsionin, ndërkaq sipas veprave penale dominon “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”. Konkretisht, 10 kandidatë janë evidentuar për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa shtatë (7) kandidatë për “Keqpërdorim të pozitës/detyrës apo autoritetit zyrtar”.
Shala shtoi se, nëse krahasohen të dhënat e këtij raporti me zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025, atëherë del se është shënuar progres në raport me numrin e kandidatëve me aktakuza aktive, konkretisht me tre (3) kandidatë më pak, si dhe në numrin e kandidatëve të përfshirë në raste penale, me dy (2) kandidatë më pak. Ndërsa regres është shënuar në raport me numrin e kandidatëve me dënime penale dhe numrin e subjekteve politike me kandidatë të përfshirë në raste penale, me nga një (1) më shumë sesa në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025.
Ndërkaq, nëse krahasohen me zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, sipas raportit rezulton se është shënuar regres në pothuajse të gjitha pikat e vlerësimit.
Viti i kaluar u konsiderua si vit zgjedhor, pasi zgjedhjet e 28 dhjetorit shënuan procesin e tretë zgjedhor brenda atij viti, ku dy prej këtyre proceseve ishin procese zgjedhore për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Në shkurt të këtij viti, KQZ-ja certifikoi rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Kësaj radhe, Kuvendi arriti ta votonte Qeverinë Kurti 3, por jo edhe presidentin brenda afatit kushtetues, ndonëse për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë partia e parë kishte marrë 51.10% të votave.
Kështu, çështja e zgjedhjes së presidentit u bë shkaktar i shpërndarjes së Kuvendit, e rrjedhimisht edhe i zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 7 qershor të këtij viti.
Për këtë proces zgjedhor u certifikuan 21 subjekte politike, tri (3) prej të cilave koalicione, 17 parti politike dhe një (1) kandidat i pavarur. Ndërkaq, janë certifikuar gjithsej 902 kandidatë për deputetë. /BetimipërDrejtësi