Inteligjenca artificiale në klasë: Ndihmë apo pengesë?
Inteligjenca artificiale (IA) tashmë ka hyrë në përditshmërinë e nxënësve në Kosovë, nga esetë e deri te detyrat e shtëpisë.
Por, sipas njohësit të politikave arsimore, Rinor Qehaja, sistemi arsimor ende nuk është duke e trajtuar këtë ndryshim si prioritet strategjik.
Qehaja thotë se inteligjenca artificiale duhet të inkorporohet brenda mësimdhënies dhe mësimnxënies në Kosovë si diçka që kthehet në përfitim për procesin arsimor.
Sipas udhëheqësit të institutit për studime të arsimit EdGuard, IA-ja nuk po e dëmton doemos të menduarit kritik të nxënësve, por po e sfidon mënyrën tradicionale të mësimdhënies.
“Janë detyrat mekanike të shtëpisë që po marrin përgjigje mekanike nga inteligjenca artificiale. Mësimdhënësit duhet të shkojnë përtej këtyre pritjeve”, thotë ai.
Qehaja vlerëson se mësimdhënësit duhet të japin më pak detyra të shtëpisë për nxënësit, teksa propozon që esetë dhe projektet të zhvillohen më shumë në prani të mësimdhënësit.
Sipas tij, digjitalizimi nuk duhet të reduktohet vetëm në tabela të mençura apo pajisje teknologjike. Ai konsideron se IA duhet të integrohet në materialet mësimore, në mënyrën e planifikimit dhe në vetë metodologjinë e mësimdhënies.
“Është gjynah që një mësimdhënës ende të harxhojë orë të tëra duke kërkuar manualisht rezultatet e të nxënit, kur inteligjenca artificiale mund ta bëjë këtë me një prekje të vetme”, shprehet Qehaja.Megjithatë, ai paralajmëron se pa një qasje institucionale dhe pa trajnime serioze për mësimdhënësit, përdorimi i IA-së do të mbetet i rastësishëm dhe i pabarabartë.
“Kemi nxënës që e përdorin inteligjencën artificiale në mënyrë brilante për hulumtim dhe kreativitet, por kemi edhe mësimdhënës që ende nuk e dinë çfarë është apo si funksionon”, thotë Qehaja për REL-in.
Përtej sfidave, Qehaja pohon se inteligjenca artificiale mbetet një mundësi e madhe për sistemin arsimor në Kosovë, nëse institucionet vendosin ta trajtojnë seriozisht.
Ai konsideron se sfida më e madhe sot nuk është përdorimi i IA-së nga nxënësit, por koha që ata kalojnë në platforma të tjera online, pa vlerë edukative.