Materiali kancerogjen largon gjermanët nga KEK-u
Të enjten, puna në Termocentralin Kosova B që ishte në remont, u ndërpre urgjentisht.
Kjo pasi teksa inxhinierët gjermanë po punonin në elektrofiltra, dyshohet se është dëmtuar azbesti dhe grimcat e këtij materiali kancerogjen janë liruar në ajër.
Siç ka mësuar Klan Kosova, ekipi gjerman pati nevojë edhe për tretman mjekësor për shkak të disa simptomave në përkeqësim të gjendjes shëndetësore nga ky material.
Por, pavarësisht kësaj, gjatë ditës së 21 majit, punëtorët kosovarë i kanë vazhduar detyrat e tyre, bile të njëjtit kanë shkuar për të punuar edhe të premten por që në fakt nuk janë lejuar.
Megjithatë, nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), kjo situatë nuk po cilësohet alarmante.
Skender Bucolli, zëdhënës i KEK-ut, tha: “Nuk ka diçka të rrezikshme. Në kuadër të modernizimit të termocentraleve, kemi vërejtur disa grimca gjatë punës dhe për siguri e parandalim kemi larguar punëtorët nga punishtja. Nuk ka të afektuar. Mostrat janë dërguar për në Gjermani dhe s’kemi asnjë raport më tutje. Situata është në kontroll”.
Këtë raport po e presin edhe punëtorët e korporatës që s’e dinë çka saktësisht ka ndodhur.
Azbesti është një material rezistent ndaj nxehtësisë, zjarrit dhe kimikateve dhe i njëjti konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin pasi mund të shkaktojë kancerin e mushkërive.
Tenderin për projektin e elektrofiltrave në Termocentralin Kosova B e ka fituar kompania gjermane “Engineering Dobersek GmbH”, ndërsa punimet po kryhen nga nënkontraktorë, përfshirë kompaninë shqiptare “Eurosteel”. Remontin e turbinës e ka kompania amerikane “General Electric”.