Pakoja e inflacionit 2.0, qytetarët me vlerësime të ndryshme për ndihmën
Foto: Laura Hasani

Pakoja e inflacionit 2.0, qytetarët me vlerësime të ndryshme për ndihmën

Aktuale May 22, 2026 - 19:44

Ditën e nisën me një lajm nga Qeveria e Kosovës.

Për këtë muaj, do të përfitojnë një ndihmë prej 100 eurove pensionistët e vendit.

Këtij lajmi iu gëzuan ata që përfituan.

“Çdo ndihmë për pensionistin është e mirëseardhur, le më 100 euro. Mirëpo, unë kisha shprehur zhgënjimin mbi atë që qeveria është dashur ta zbatoj ligjin 131, ku ceket shumë mirë: Qeveria çdo fundvit duhet ta shikoj inflacionin”, thotë Sherif  Kastrati- Kryetar i Shoqatës së Pensionistëve të Kosovës.

“Të mjaftueshme nuk janë, por nuk jemi mësuar me i marr kurrë, është gëzim i madh, nuk është problemi që nuk i ke por kujdesi që u kujtua dikush”, thotë Hajrush Emini – pensionist.

Por dikush po mendon që kjo ndihmë është vetëm për zgjedhje.

“Pi vjen era bash në kohën e zgjedhjeve sikurse për blerjen e votave, mirëpo pensionistat besoj që kush është i pjekur nuk shitet për 100 euro por ai do të voton për subjektin të cilin e don”, shprehet pensionist Vesel Veseli.

Si ai mendojnë edhe dy qytetarë të tjerë në sheshet e kryeqytetit.

“Kurgjo s’kom marrë, ato janë rrena të tyne..”, thotë një qytetar

“Ky vendim është i mirë por fatkeqësisht është vetëm për vota, se psh unë nuk përfitoj kurgjo hiç, kurrë nuk kam punu edhe kurrë skam përfitu asgjë prej asnjë qeverie që ka qenë në pushtet”, shprehet një tjetër qytetar.

Megjithatë, përkundër kohës kur po shpërndahet kjo pako, analisti politik Basri Muja, vlerëson se kjo është një ndihmë e mirë.

“Po ndihmat për kategoritë më të varfra shoqërore janë të mirëseardhura në të gjitha kohët pa marrë parasysh. Tani ka rastisur që ndihmat të jepen në një kohë veç se kur jemi në fushatë parazgjedhore, megjithatë mendoj që është mirë, sado që kemi pasur ndihma edhe në kohën kur s’kemi pasur zgjedhje, por çka është me rëndësi të thuhet që për herë të parë po jepen ndihma edhe për sektorin privat”, thotë ai.

Në mbledhjen e Qeverisë të së premtes, është marrë vendim që të ketë një pako ndihmë nga 100 euro për pensionistët, studentët, punëtorët e sektorit privat dhe fëmijët. Ndërkaq shtesat për lehonat u rriten në 500 euro./teve1