Haxhiu në përvjetorin e masakrës së Dubravës: Shteti serb veproi si aparat vrasës

Haxhiu në përvjetorin e masakrës së Dubravës: Shteti serb veproi si aparat vrasës

Aktuale May 22, 2026 - 13:55

Sot janë bërë 27 vjet nga masakra e Dubravës, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë që makineria serbe kishte përdorur kundër civilëve shqiptarë.

Me këtë rast, në Dubravë janë mbledhur krerët e shtetit, përfaqësues të partive politike, familjarë të viktimave dhe ish të burgosur politikë, për të përkujtuar të vrarët e kësaj masakre. Të gjithë ata që e vizituan këtë vend thanë se kjo masakër është kujtimi më i hidhur për shqiptarët.

Gjatë homazheve u theksua rëndësia e kujtesës dhe kërkesa për drejtësi për viktimat e masakrës së Dubravës, ku u vranë 116 civilë shqiptarë.

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përkujtuar viktimat dhe ka folur për përgjegjësinë historike dhe institucionale të kësaj ngjarjeje.

“Në masakrën e Dubravës u vranë 116 shqiptar. Në Dubravë shteti serb veproi si aparat vrasës. I kishte të burgosurit në regjistra, në pavijonin në rreshta nën urdhra dhe të mbyllur, kjo është arsyeja pse Dubrava ka peshë të veçantë juridike dhe morale,” u shpreh Haxhiu.

Ajo theksoi se, sipas saj, krimi në Dubravë ka ndodhur për shkak të pranisë së strukturave shtetërore.

“Këtu krimi nuk ndodhi sepse shteti mungoi, ndodhi sepse shteti ishte i pranishëm në çdo hallkë, në komandë, në rojë, në mashtrim dhe në përpjekje për ta fshehur të vërtetën,” tha ajo.

Haxhiu shtoi se masakra e Dubravës duhet të trajtohet si dëshmi e krimeve të kryera në Kosovë.

“Prandaj sot nuk mjafton ta përmendim Dubravën vetëm si datë por duhet ta kuptojmë si dëshmi për krimet monstruoze që Serbia i ka bërë në Kosovë kundër qytetarëve të pa mbrojtur shqiptar,” u shpreh ajo.

Ajo bëri thirrje që e vërteta për Dubravën të bëhet pjesë e kujtesës shtetërore.

“Gjithashtu edhe si dëshmi të detyrës sonë që emrat e të vrarëve, dëshmitë e të mbijetuarve dhe e vërteta e plotë e Dubravës të bëhet pjesë e ndërgjegjes shtetërore të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Në fund, Haxhiu bëri thirrje për nderim dhe përgjegjësi institucionale.

“Lavdi të vrarëve në burgun e Dubravës, nderim të mbijetuarve dhe përgjegjësi e përhershme për Republikën që kujtesën ta kthejë në drejtësi”, përfundoi ajo.