Haradinaj: Në Burgun e Dubravës u krye një nga krimet më çnjerëzore të regjimit serb ndaj shqiptarëve
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar masakrën në Burgun e Dubravës dhe atë të Vushtrrisë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj u shpreh se atje u krye një nga krimet më çnjerëzore të regjimit serb ndaj shqiptarëve. /Zëri
Postimi i plotë:
Nga 19 deri më 22 maj 1999, në Burgun e Dubravës u krye një nga krimet më çnjerëzore të regjimit serb ndaj shqiptarëve. Mbi 130 të burgosur u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën, në një përpjekje mizore për të shuar jetë dhe për të thyer shpirtin e rezistencës sonë. Masakra e Dubravës mbetet dëshmi e qartë e politikës gjenocidale dhe të spastrimit etnik të ushtruar ndaj popullit shqiptar.
22 maji i vitit 1999 na kujton edhe masakrën në Vushtrri, ku forcat serbe vranë mizorisht burra, gra, pleq e fëmijë të pafajshëm. Nga 68 civilët e vrarë në rrugën “22 Maji”, trupat e 67 prej tyre u gjetën vite më vonë në varrezat masive në Serbi, një dëshmi tronditëse e përmasave të krimit dhe përpjekjes për fshehjen e tij.
Rruga drejt lirisë ishte e rëndë dhe e mbushur me sakrifica të panumërta. Edhe sot, Serbia vazhdon të mos pranojë përgjegjësinë për krimet e kryera, ndërsa obligimi ynë mbetet të mos ndalemi së kërkuari drejtësi.
Kosova nuk harron.
Lavdi e përjetshme për të rënët për liri!