Kurti uron Ditën e Evropës: Mandatin e ardhshëm marrim statusin e kandidatit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar Ditën e Evropës me një mesazh në të cilin ka theksuar rëndësinë historike të projektit evropian dhe domosdoshmërinë e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Duke cituar Robert Schumanin – “Evropa nuk do të bëhet menjëherë apo sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet përmes arritjeve konkrete, të cilat së pari krijojnë një solidaritet de fakto” – Kurti ka kujtuar se Bashkimi Evropian lindi mbi rrënojat e Luftës së Dytë Botërore, si përgjigje ndaj nevojës ekzistenciale për paqe të qëndrueshme.
Ai ka thënë se paqja në Evropë nuk u ndërtua mbi harresë, por mbi drejtësi dhe përgjegjësi ndaj viktimave të luftës, duke përmendur gjyqin e Nurembergut si një pikënisje të kësaj qasjeje. Sipas Kurtit, drejtësia dhe përgjegjësia u pasuan nga vizioni i bashkëpunimit, i cili u materializua me krijimin e institucioneve të përbashkëta që i shndërruan rivalët historikë në partnerë.
Kosova feston 9 Majin, Palatova: Ju duam pjesë e këtij Bashkimi Evropian
Në mesazhin e tij, Kurti ka theksuar se Kosova e ka përjetuar shekullin XX ndryshe, duke përmendur luftërat dhe gjenocidin serb, ndërsa projekti evropian, sipas tij, mbeti “premtim i pambaruar paqeje” deri në fund të atij shekulli.
Ai ka vlerësuar se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor që synojnë BE-në nuk është vetëm çështje prosperiteti e mirëqenieje, por “domosdoshmëri për të siguruar paqen e qëndrueshme në Evropë”.
Kurti ka deklaruar se Kosova sot është “demokracia më e zhvilluar dhe ekonomia me rritjen mesatare më të lartë në rajon”, duke përmendur aplikimin për anëtarësim në BE dhe liberalizimin e vizave si hapa historikë të mandatit të kaluar. Ai ka shtuar se mandati i ardhshëm synon statusin e kandidatit, hapjen e negociatave dhe avancimin e mëtejmë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian.
Në fund, Kurti ka uruar: “Gëzuar Ditën e Evropës!”.