Lirohet nga spitali nëna 19-vjeçare që dyshohet se e mbyti të porsalindurën

Lirohet nga spitali nëna 19-vjeçare që dyshohet se e mbyti të porsalindurën

Aktuale May 08, 2026 - 19:35

Vdekja e një foshnje të porsalindur ka tronditur Ferizajn dhe gjithë Kosovën.

Nëna 19 vjeçare e cila është e dyshuar për këtë rast tragjik, që nga e enjtja ka marrë trajtimet e nevojshme shëndetësore në spitalin e Ferizajt.

Ajo ka qenë e shtruar në spital deri në mesditën e së premtes.

Ekipi i TËVË1 që ka qëndruar gjatë ditës në Ferizaj, është interesuar që të marrë më shumë informacione për gjendjen shëndetësore të 19 vjeçares. Megjithatë, nga menaxhmenti i spitalit nuk kanë pranuar të flasin.

Mirëpo, prapa kamerës kanë treguar se asaj i është dhënë trajtimi i nevojshëm post-natal, por gjendja psikologjike e saj mbetet e rënduar.

Deri më tani nga ajo që ka mësuar televizioni, e dyshuara nuk është marrë në pyetje nga hetuesit policor ose nga Prokuroria Themelore e Ferizajt.

Marrja e saj në pyetje është shtyrë pasi si shkak i tronditjes po merr trajtim nga psikologu.

Televizionit i është thënë nga organet e rendit se gjendja e 19 vjeçares është duke u monitoruar në vazhdimësi, dhe në momentin që të jetë e gatshme, do ta jap deklaratën e saj.

Gjatë gjithë ditës, as policia e as Prokuroria Themelore e Prishtinës, nuk kanë pranuar që zyrtarisht të ndajnë detaje shtesë për rastin, për shkak se ende ndodhet në fazë të hershme.

Më shumë detaje për rastin, dhanë dje nga vet Spitali i Ferizajt ku ishte në trajtim e dyshuara.

Nga spitali kanë thënë se ngjarja ndodhi në tualet dhe intervenimi i stafit mjekësor u bë vetëm pasi u dëgjuan të qarat e të porsalindurës.

Sipas tyre, ajo nuk ishte lajmëruar si paciente shtatzënë, ndërsa foshnjën pas lindjes ata kanë treguar se e kishte hedhur në kosh të mbeturinave.