Katër ditë afat për listat zgjedhore, partitë ende pa emra zyrtarë të kandidatëve
Foto: Laura Hasani

Katër ditë afat për listat zgjedhore, partitë ende pa emra zyrtarë të kandidatëve

Aktuale May 08, 2026 - 19:41

Edhe katër ditë ka afat që partitë politike të dorëzojnë emrat e kandidatëve për deputetë.

Nga Lëvizja Vetëvendosje bëjnë të ditur se brenda afatit do të bëhet e ditur lista e tyre.

Shefja e grupit parlamentar, Arbërie Nagavci thotë se në bashkëpunim me Guxo-n, Alternativën dhe Partinë Shqiptare Demokristiane do të përfshijnë njerëz nga të gjithë lëmit.

Nagavci thekson se bashkëpunimi në zgjedhjet e kaluara ka qenë i shkëlqyeshëm.

“Pjesa më e madhe e deputetëve nga Lëvizja dhe partnerëve tanë do të vazhdojnë të jenë pjesë e listës edhe në këto zgjedhje, ndërkohë që jemi në proces edhe të finalizimit të listës, nesër kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm dhe brenda afatit do të sigurohemi që lista jonë të ketë kandidatët më të mirë si alternativë për qytetarët përfshi edhe gjithpërfshirjen në të gjitha aspektet edhe sa i përket profilit profesional edhe sa i përket përfaqësimit të interesave të komuniteteve të caktuara, aspektin gjinor dhe të gjitha ato që janë të rëndësishme që lista ttqë jetë gjithëpërfshirëse dhe cilësore që të vazhdojmë të jemi alternativa më e mirë për qytetarët”.

Një tjetër mandat me Partinë Demokratike të Kosovës e synon ish deputeti Eman Rrahmani.

Rrahmani bën të ditur se është në bisedime me të gjithë partitë, por më afër me PDK-në.

“Jemi taku, jemi duke diskutu dhe kemi me u taku prapë edhe ka mbetë çështje diskutimi rreth bashkëpunimit që kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyeshëm që e kemi pasë mandatin e kalum dhe kemi mbetë këto ditë me vendosë. Kanë me qenë edhe kandidatë të tjerë , disa kandidatë varësisht edhe prej marrëveshjes që do e kemi. Kemi mundësi edhe me subjektet tjera por jemi duke diskutu me Partinë Demokratike të Kosovës”.

E nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limaj ende nuk e dinë se me cilin subjekt politik do të bashkëpunojnë.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor, Nisma ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.

Deklarime rreth bashkëpunimit nuk dha as ish deputetja e këtij subjekti, Xhevahire Izmaku.

“Më vjen keq tash nuk kam mundësi me u përgjigj por dëgjohemi më vonë”.

Partitë politike kanë kohë deri më 12 maj t’i dorëzojnë listat për kandidat për deputetë, për zgjedhjet e 7 qershorit./teve1