Kujtimi i bashkëpunëtorëve në 27-vjetorin e vrasjes së Fehmi Aganit
Sot është shënuar edhe 27 vjetori i vrasjes së profesorit Fehmi Agani. Bashkëpunëtorët thonë se roli i profesor Aganit në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, është i pazëvendësueshëm.
Ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Kontributi i profesor Fehmi Agani në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, vlerësohet të jetë i pashlyeshëm.
Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka shumë kujtime nga koha e kaluar si bashkëpunëtor i Aganit.
“Përvoja e tij intelektuale në rend të parë por edhe përvoja politike, njohja e politikës së Serbisë, njohja e raporteve ndërkombëtare kanë qenë përparësi të tij për shkak se ka qenë njohës i jashtëzakonshëm i këtyre proceseve dhe për këtë arsye kontributi i tij ka qenë i jashtëzakonshëm në modelimin e politikës sonë sepse keni parasysh LDK-ja ka qenë një lëvizje e madhe dhe ka pasur rryma të ndryshme ideologjike pothuajse disa edhe revolucionare”, Krasniqi.
Vrasjen e tij nga forcat serbe, Krasniqi e quan si humbje të madhe për vendin por edhe për ish-presidentin Rugova.
“Sepse në atë kohë, presidenti Rugova ishte peng i Millosheviqit dhe ne shpresonim që të vinte ai në Tiranë ose në Shkup dhe ta merrte përsipër organizimin e Lëvizjes, ndodhi ajo që ndodhi, ishte një krim monstruoz, e vranë një burrë të urtë, një njeri racional i cili kishte kërkuar gjithnjë dialog, i cili kishte kërkuar gjithmonë zgjidhje paqësore, por regjimi i Millosheviqit ka qenë gjakatar dhe në urrejtjen e tyre iracionale nuk kanë kursyer askënd”, ka thënë tutje Krasniqi.
Komunikime dhe takime të shpeshta me profesor Aganin kishte edhe ish-anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti.
“Ajo që ne i themi Republika e parë e Kosovës ka funksionuar aty në ish-selinë e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës ku ka qenë vendi ku ka punuar Rugova me bashkëpunëtorët e vet dhe me Aganin jam takuar shpesh për të mos thënë çdo ditë sepse unë në ato vite kam qenë afër edhe me Rugovën dhe Qendrës për Informim të Kosovës ku kam punuar dhe ne kemi punuar bashkë sepse ka qenë një organizim shumë koherent dhe Agani ka qenë aty përditë”, u shpreh Hamiti
Sipas Hamitit, koha ka dëshmuar rolin e pazëvendësueshëm të Fehmi Aganit në rrugëtimin e Kosovës për liri.
“Ka qenë shumë i madh, rol që është parë edhe atëherë, sigurisht në retrospektivë shihet edhe më i madh sepse po flasim për presidentin Rugova, për profesor Aganin dhe të tjerë të një klase politike, të njerëzve të ditur me moralitet të lartë politik me konsistencë të madhe dhe fuqi të madhe argumentuese, të gjitha këto kritere i ka plotësuar profesor Agani”
Të mërkurën janë bërë 27 vjet nga vrasja e nënkryetarit shumëvjeçar të LDK-së.
Fehmi Agani ishte një nga bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe një nga figurat më të rëndësishme të rezistencës paqësore ndaj regjimit serb gjatë viteve të 90-ta. /tëvë1