Haga zvarrit vendimin, drejtësia mbetet në pritje edhe 60 ditë
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së është shtyrë sërish, duke zgjatur afatin për shpalljen e aktgjykimit deri më 20 korrik, për shkak të kompleksitetit të rastit. Jursitët nuk përjashtojnë mundësinë e një vendimi më të hershëm, por paralajmërojnë se vonesat mund të cënojnë të drejtat e të akuzuarve
Por paneli Gjyqësor i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, e ka shtyrë edhe për të paktën 60 ditë, shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sipas zëdhënëses së Gjykatës, Angela Griep, arsyeja qëndron tek kompleksiteti i rastit.
“Trupi Gjykues lëshoi ënjë vendim duke e zgjatur afatin për shpalljen e vendimit të Gjykatës me 60 ditë të tjera, deri të hënën, më 20 korrik. Kjo nuk është data e shpalljes së vendimit, por vetëm data e afatit të zgjatur. Trupi Gjykues shtoi se nëse një zgjatje e mëtejshme është absolutisht e nevojshme, do të lëshojë një urdhër për këtë qëllim në kohën e duhur”.
Shtyrja është në përputhje me rregulloren e procedurës së provave.
Megjithatë, sipas avokatit Florin Vërtopi, ekziston mundësia që verdikti përfundimtar të shpallet edhe para datës 20 korrik.
“Po a mundet ma herët, ekziston gjithmonë ajo mundësi. Por është lënë një limit 60 ditor, unë po besoj që ai limit duhet të respektohet nga trupi gjykues, pasi procesi ka kriju pasoja të rënda, sidomos me tejzgjatjen e paraburgimit, dhe kjo është edhe në kundërshtim me konventën për të drejtat e njeriut”.
Nëse procedura e provave rihapet, Vërtopi thekson se mbrojtjes duhet t’i garantohet e drejta për kundërshtim.
“A shkon ndonjë provë edhe në favor të mbrojtjes, mirëpo medoemos nëse bëhet rihapja e procedurës së provave dhe administrohen ato prova, patjetër duhet tu jepet avokatëve mbrojtës të kundërshtojnë ato prova. Tek atëherë mund të konsiderohet se është respektu parimi i barazisë së armëve”, ka deklaruar Vërtopi.
Zgjatja e afateve nuk po kalon pa shqetësime as nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Sipas tyre, çdo shtyrje e re e vendimit mund të prekë të drejtat e të akuzuarve.
“Duke marrë parasysh faktin se të akuzuarit janë tash e një kohë të gjatë në paraburgim, çdo vazhdim është një ngarkesë shtesë për ta dhe vazhdimësia e afateve në këtë formë, në aspektin e të drejtave të të akuzuarve mund ta cenojë të drejtën e tyre”, ka deklaruar Burim Tahiri, nga Institucioni i Avokatit të Popullit.
Reagimet nuk kanë munguar as nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sipas të cilëve nuk është nuk është asgjë tjetër veçse një vendim i pastër politik dhe një padrejtësi e radhës.
Kurse shqetësim ka shprehur edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se zvarritja është goditje ndaj besimit në proces, dhe padrejtësi shtesë për të akuzuarit. /dukagjini