Komandanti i FSK-së merr pjesë në panairin e industrisë së mbrojtjes “SAHA Expo 2026” në Stamboll
Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, po qëndron në Stamboll, ku po merr pjesë në panairin ndërkombëtar të industrisë së mbrojtjes SAHA Expo 2026, një nga ngjarjet më të rëndësishme në këtë fushë.
Sipas njoftimit, Jashari, i shoqëruar nga delegacioni i FSK-së, ka marrë pjesë fillimisht në ceremoninë zyrtare të hapjes, ku ka zhvilluar takime me drejtues të mbrojtjes dhe të forcave të armatosura të Turqia.
Gjatë këtyre takimeve, ai ka prezantuar objektivat për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke diskutuar edhe planet e bashkëpunimit dypalësh që përfshijnë trajnimet, stërvitjet, pajisjet dhe aktivitete të tjera të përbashkëta.
Në kuadër të panairit, komandanti i FSK-së ka ndjekur nga afër zhvillimet më të fundit teknologjike në industrinë e mbrojtjes, në funksion të modernizimit të kapaciteteve të Forcës. Delegacioni ka zhvilluar gjithashtu takime me prodhues të ndryshëm, me fokus në forcimin e kapaciteteve ushtarake për përmbushjen e misionit të FSK-së.
Pjesëmarrja në SAHA Expo 2026 vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë dhe avancimin e aftësive moderne për përballimin e sfidave të sigurisë./Zëri