PDK: Zvarritjet në Hagë po e shndërrojnë procesin në padrejtësi të institucionalizuar
Prishtinë, 6 maj 2026 – Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar ndaj shtyrjes së shpalljes së aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, duke e cilësuar këtë zhvillim si dëshmi të një procesi të stërzgjatur dhe të padrejtë.
Në reagimin e saj, PDK vlerëson se vonesat e vazhdueshme e kanë zbehur kuptimin e drejtësisë, duke e kthyer procesin në një çështje të ndikuar nga kalkulimet politike.
Sipas këtij subjekti politik, shtyrja e fundit përbën goditje ndaj besimit në drejtësi dhe një padrejtësi shtesë për ish-krerët e UÇK-së, të cilët, siç thuhet, prej rreth pesë vitesh e gjysmë ndodhen në paraburgim.
PDK thekson se kohëzgjatja e kësaj mase e ka tejkaluar funksionin e saj, duke u shndërruar në një “dënim të heshtur” si pasojë e vonesave të përsëritura në proces.
Në fund, kjo parti i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve të drejtësisë që të reflektojnë, në mënyrë që procesi të mos mbetet shembull i dështimit të drejtësisë ndërkombëtare.
PDK rithekson qëndrimin e saj për pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së dhe kërkon që aktgjykimi përfundimtar të shpallet pa vonesa të mëtejshme, duke mundësuar kthimin e tyre në Kosovë./Zëri