Abdixhiku: Po shkojmë në zgjedhje sepse u kërkua nënshtrim, ne zgjodhëm Republikën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje si pasojë e, siç tha ai, kërkesave të pushtetit për nënshtrim politik.
Ai tha se LDK-ja ka qenë e hapur për konsensus dhe dialog, por sipas tij, procesi është përballur me refuzim nga pala tjetër.
“Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti me 51% kërkoi nënshtrim. Ne zgjodhëm Republikën. Kërkuan konsensus, ua dhamë. U takuam. Kërkuan emra, thamë Vjosën, e injoruan. Kërkuan nënshkrime, ua dhamë 15 sosh sa i kishim”, ka shkruar Abdixhiku, transmeton Zeri.info.
Ai shtoi se në fund, sipas tij, kërkesa ishte nënshtrimi politik, gjë që LDK-ja nuk e ka pranuar.
“Në fund kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin”, ka deklaruar ai.
Abdixhiku tha se LDK e ka parë Vjosa Osmanin si presidente përfaqësuese, jo si mjet politik, duke e dalluar qasjen e partisë së tij nga ajo e pushtetit.
“Ne e pamë siç duhet të ishte, një Presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës”, u shpreh ai.
Në fund, ai theksoi se vendimi për të ardhmen do t’i takojë qytetarëve në zgjedhje, duke bërë thirrje për bashkim dhe një Kosovë “normale, pa dramë dhe me dinjitet”./Zëri