PDK: U mbrojt rendi kushtetues, zgjedhjet të caktohen sipas afateve ligjore
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) vlerëson se me përfundimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e Presidentit është shmangur, siç thuhet, një ndër shkeljet më të rënda të Kushtetutës dhe një tentativë e rrezikshme për demokracinë në vend.
Sipas PDK-së, përpjekjet për të imponuar një proces të njëanshëm dhe jashtë kornizës kushtetuese kanë dështuar, ndërsa institucionet e Republikës dhe rendi kushtetues janë mbrojtur.
Partia opozitare e mban pushtetin aktual përgjegjës për krizën e krijuar, duke e cilësuar atë si shkaktar të krizave të njëpasnjëshme politike, keqqeverisjes, vështirësive ekonomike dhe, sipas tyre, shpërdorimit të besimit të qytetarëve.
Në përputhje me Kushtetutën, PDK thekson se vendi hyn tani në një proces të ri zgjedhor dhe i bën thirrje ushtrueses së detyrës së Presidentes që të caktojë datën e zgjedhjeve brenda afateve kushtetuese, duke garantuar një proces të rregullt, të lirë dhe demokratik.
PDK gjithashtu u bën thirrje qytetarëve që të jenë të gatshëm për këtë proces demokratik dhe, përmes votës së tyre, të refuzojnë, siç thuhet, “logjikën e përçarjes, bllokadës dhe aventurave institucionale”.
Në fund, kjo parti thekson se Kosova ka nevojë për një drejtim të ri, stabilitet, përgjegjësi dhe zhvillim, si dhe për institucione funksionale që respektojnë Kushtetutën.
“Republika u mbrojt sot. Tani është radha e qytetarëve”, përfundon reagimi i PDK-së./Zëri