Maqedonci në Gjermani: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Kosovës
Foto: Facebook

Maqedonci në Gjermani: Anëtarësimi në NATO mbetet objektiv strategjik i Kosovës

Aktuale April 23, 2026 - 12:29

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të angazhimeve zyrtare, të enjten ka zhvilluar një takim me kryetarin e Komisionit për Mbrojtje në Bundestagun gjerman, Thomas Rowekamp, si dhe me anëtarët e këtij komisioni.

Përmes një postimi në Facebook, Maqedonci bëri të ditur se gjatë takimit është diskutuar për avancimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe për objektivat e përbashkëta strategjike.

Ai ka thënë se ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj misionit të KFOR-it, duke theksuar rolin e tij në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Sipas tij, Republika e Kosovës mbetet një partnere e besueshme në fushën e sigurisë, duke kontribuuar përmes angazhimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione ndërkombëtare, përfshirë në Kuvajt dhe Ishujt Falkland.

Maqedonci ka ritheksuar se anëtarësimi në NATO mbetet një objektiv strategjik i Kosovës, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë për këtë proces.

“Republika e Kosovës mbetet thellësisht e përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe sundimit të ligjit, standarde këto që përbëjnë bazën e çdo partneriteti serioz në fushën e mbrojtjes dhe që ne i zbatojmë si parim i pandryshueshëm”, shkroi ai.

Në fund, Maqedonci ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë po vazhdon të thellohet, i bazuar në vlera demokratike dhe besim të ndërsjellë.