Kuvendi miraton në lexim të dytë Projektligjin për shtetësinë
Foto: Laura Hasani

Kuvendi miraton në lexim të dytë Projektligjin për shtetësinë

Aktuale April 23, 2026 - 14:06

Me 69 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin nr. 10/L-023 për shtetësinë e Kosovës. Kundërshtime pati nga partitë opozitare.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryetar i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mefail Bajqinovci, ftoi partitë ta votojnë këtë projektligj.

“Projektligji prek jetën e qytetarëve tanë, prek të drejtën e tyre për t’u ndjerë pjesë e këtij shteti; lehtësimi i procedurave për shtetësi është një hap i domosdoshëm për të forcuar lidhjen e qytetarëve me Republikën e Kosovës, sidomos për bashkatdhetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. Prandaj ju ftoj që ta mbështesni këtë projektligj bashkë me amendamentin e propozuar nga Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes”, tha ai.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, kundërshtoi këtë projektligj, pasi sipas saj po sillet me procedura të përshpejtuara.

“Është sjellë në Kuvend me procedura të përshpejtuara, pa respektuar as afatet ligjore, pa u përfunduar të gjitha procedurat që duhet të ndiqen kur miratohet, kur rishqyrtohet ose plotësim-ndryshimi i ligjeve kur bëhet.

Dhe duke pasë parasysh që keni duplikuar agjendën e Kuvendit në të njëjtën kohë, keni vendosur nga dy tri komisione në të njëjtin orar, e kemi pasur të pamundur që të punojmë me seriozitet në këtë projektligj. Përkundër kësaj, në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ditën kur ishin prezentë edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, kam adresuar të gjitha çështjet të cilat janë kontestuese në këtë ligj dhe fatkeqësisht edhe nga ana e zyrtarëve të ministrisë nuk kam marrë përgjigje dhe nuk kanë mundur që t’i argumentojnë vërejtjet që kemi dhënë. Unë, e nderuara kryetare, ju bëj thirrje juve para se ta nënshkruani këtë ligj sepse, siç duket, meqë veç jeni ushtruese e detyrës së presidentes, ju do ta keni fatin ta nënshkruani këtë ligj pas tetë dite, ju kisha lut shumë që ta lexoni mirë dhe të merrni këshilla sepse ky ligj e rrezikon sigurinë e brendshme të Kosovës.

Pa dashur të ndalem në detaje në amendamente dhe nenet kontestuese sepse i kam thënë shumicën edhe në lexim të parë gjatë shqyrtimit të këtij projektligji, i kam thënë edhe në komision, por është e qartë se këtu nuk vlen asnjë rregull tjetër përveç urdhrit të Dejona Aleksandër Mihajlit. E pamë edhe pak më herët, e pamë edhe pak më herët, deputetët e mazhorancës nuk guxojnë ta ngrenë dorën për të votuar pa e parë me sy që aty shkruan që nuk është i propozuar nga opozita. Nuk dëgjojnë fare çka interpretoni ju, nuk dëgjojnë fare çfarë vërejtjesh japim ne, e rëndësishme është që Dejona Aleksandër Mihajli ka dhënë urdhër, përndryshe ju shkon karriera poshtë”, u shpreh ajo.