Kurti mirëpret arrestimin e Radulloviqit: Drejtësia për Banjskën s’është e plotë pa Radoiçiqin
Foto: Laura Hasani

Kurti mirëpret arrestimin e Radulloviqit: Drejtësia për Banjskën s’është e plotë pa Radoiçiqin

Aktuale April 20, 2026 - 09:11

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka mirëpritur arrestimin e Stefan Radulloviqit, i cili dyshohet për terrorizëm e për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë në Kosovë.

Kurti e cilësoi si një hap përpara drejt vendosjes së drejtësisë për rastin e sulmit terrorist në Banjskë.

“Mirëpresim arrestimin e Stefan Radulloviq, i lidhur me sulmin terrorist në Banjskë që kishte për qëllim aneksimin e veriut tonë. Ky është një hap përpara, drejtësia bëhet e plotë vetëm kur bashkëpunëtori i Raduloviq, kryeterroristi Millan Radoiçiq dhe grupi i tij në tërësi vihen para drejtësisë në Kosovë ku do të kenë gjykim të drejtë e fer”, tha Kurti.

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar një muaj paraburgim për Stefan Raduloviq, i dyshuar për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023.

36-vjeçari, me vendbanim në Mitrovicë të Veriut, është arrestuar të premten nga policia në pikëkalimin kufitar në Merdar dhe dyshohet për terrorizëm dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.