Pesë vjet pritje, projektligji për Diasporën dhe Shërbimin e Jashtëm ende pa zgjidhje ligjore
Foto: Laura Hasani

Pesë vjet pritje, projektligji për Diasporën dhe Shërbimin e Jashtëm ende pa zgjidhje ligjore

Aktuale April 19, 2026 - 20:16

Nga viti në vit, mbeten veç si prioritete të shkruara në letër.

Që nga viti 2021, kur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës udhëhiqej nga Donika Gërvalla, miratimi i Projektligjit për Diasporën dhe atij për Shërbimin e Jashtëm ishin pjesë e programeve legjislative të qeverisë të po atij viti.

Pesë vite më pas, tani ministër i Punëve të Jashtme është Glauk Konjufca e këto dy projektligje mbeten ende nëpër programe, pa arritur asnjëherë në Kuvend për t’u ballafaqur me votat e deputetëve.

Edhe në programin legjislativ 2026-2028, ato figurojnë sërish, tash me afate të reja.

Televizoni ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për të marrë sqarime në lidhje me vonesat shumë vjeçare në miratimin e këtyre projektligjeve, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Time Kadrijaj, anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, shprehet kritike me punën e tani ish-kryediplomates Donika Gërvalla, ndërsa pak ka pritje edhe nga pasuesi i saj, njëherësh zëvendëskryeministri Konjufca.

Por sipas Grupit për Studime Juridike dhe Politike, zvarritja shumëvjeçare ngre pikëpyetje serioze për prioritetet reale institucionale.

“Te ky rast, nuk mund të themi se arsyeja e vetme ka qenë kriza politike që ka qenë në 2025-tën, normalisht që këtu ka munguar edhe vullneti politik sepse ky projektligj është nga viti 2021 duke tentu dhe duku iu trashëgu në çdo agjendë legjislative ndër vite”, ka deklaruar Blerina Istrefi, nga GLPS.

Sipas Blerina Istrefit nga kjo organizatë, asnjëherë nuk ka pasur një arsye konkrete pse ka ndodhur zvarritja e tyre ndër vite.

“Nuk është se ka dal ndonjë njoftim zyrtarë që ka nevojë për ndërhyrje në projektligj dhe zvarritja po ndodh për këto arsye. Në suazë të kësaj ne e shohim vetëm si mungesë të vullnetit politik dhe kjo e dëmton dhe ulë kredibilitetin e Kuveendit, duke e parë që ndër vite po halon heshturazi, dhe ngrit dyshime edhe për vetë qytetarët që edhe tash a mund të ecë përpara apo jo”, ka theksuar Istrefi.

Si afat i ri për  miratimin e projektligjit për Shërbimin e Jashtëm, është përcaktuar 30 gushti i këtij viti, ndërsa ai për Diasporën, me programin e projektligjeve të qeverisë për vitin 2026-2028, parashihet të miratohet para 30 dhjetorit të këtij viti.

Projektligji për diasporën, synon të rregullojë raportet në mes të pjesëtarëve të diaspoorës dhe qeverisë, duke adresuar statusin dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, ndërkohë ai për Shërbim të Jashtëm, synon rregullimin e veprimtarisë, organizimin dhe funksionimin e diplomacisë së shtetit.

Programi i projektligjeve të qeverisë 2026-2028, është miratuar në mbledhjen e qeverisë më 20 shkurt./dukagjini