Nga tryeza për bashkëjetesën ndërfetare kërkohet unitet e dialog

Nga tryeza për bashkëjetesën ndërfetare kërkohet unitet e dialog

Aktuale April 16, 2026 - 20:54

Një tryezë diskutimi mblodhi sot përfaqësues institucionesh e komuniteteve fetare. Aty u diskutua për bashkëjetesën ndërfetare në Kosovë, ku ndër të tjerash u dhanë mesazhe për paqe dhe harmoni ndërfetare.

Një nga një u mblodhën në këtë sallë.

Gjersa prisnin, nuk munguan as përshëndetjet.

Nuk vonoi shumë, e në mesin e tyre u bashkuan edhe kryeministri Kurti e myftiu Tërnava.

Në objektin e Fakultetit të Studimeve Islame, përfaqësues institucionesh, komuniteteve fetare e jetës publike diskutuan për bashkëjetesën ndërfetare ndër vite.

Aty u theksua se harmonia ndërfetare është pjesë e identitetit të shoqërisë kosovare.

“Harmonia fetare në Kosovë është pasuri kombëtare. Besimtari, cilido qoftë feja apo besimi i tij, meriton dinjitet. Dhe në fund, dua të përsëris se: Shqiptaria nuk e mohon fenë, Shqiptaria e nderon fenë, por e refuzon përçarjen në emër të saj”, u shpreh myftiu i Kosovës.

Disa fjalë i tha edhe kreu i Ekzekutivit.

“Në Kosovë bashkëjetesa ndërfetare nuk është vetëm një aspiratë moderne por edhe traditë historike e ndërtuar ndër shekuj mbi respektin dhe bashkëjetesën. Ajo mbetet një vlerë themelore e shoqërisë tonë e cila ka kontribuar në ruajtjen e kohezionit dhe të stabilitetit”, tha kryeministri Kurti.

Presidenti i Fondacionit “Drita” u ndal te roli i dialogut ndërfetar në ndërtimin e unitetit.

“Shpresoj se kjo ditë bashkëpunimi vëllazëror, miqësisë dhe dialogu mbi të përbashkëtat, si edhe të dallueshmen mes nesh, të jetë një hap i rëndësishëm drejt forcimit të unitetit tonë në dallime dhe drejt thellimit  të bashkë-mirëkuptimit mes nesh. Sepse uniteti i vërtetë nuk është njëtrajtshmëri, por harmoni në shumëllojshmërinë”, tha Zef Gashi-president i fondacionit “Drita”.

Të pranishëm në këtë diskutim ishin edhe përfaqësues ndërkombëtarë, të cilët vlerësuan lart frymën e mikpritjes.

“Një gjë që kam vënë re në kohën e shkurtër që kam qenë këtu, është se kudo që shkoj në Kosovë, njerëzit punojnë shumë për të më bërë të ndihem si në shtëpi. Ka një nivel mikpritjeje këtu, pavarësisht fesë dhe pavarësisht përkatësisë etnike që është e paprecedentë në çdo vend tjetër ku kam qenë, dhe jam mirënjohës për këtë. Dhe natyrisht, ju djema jeni të përkushtuar ndaj një përpjekjeje fisnike këtë mëngjes: dialogut ndërfetar”, tha Chaplain LTC Hornback – përfaqësues i KFOR-it.

Një tryezë e tillë diskutimi, vitin e kaluar ishte mbajtur në ambientet e Kishës Katolike.