Merkur Smajlaj nga Kosova, në listën prestigjioze Forbes “30 Under 30 Europe 2026”
Shkencëtari dhe sipërmarrësi shqiptar, Merkur Smajlaj, është përfshirë në listën prestigjioze “30 Under 30 Europe 2026” të publikuar nga Forbes, duke u renditur ndër të rinjtë më me ndikim në Evropë në fushën e industrisë dhe inovacionit.
Smajlaj, i cili zhvillon aktivitetin e tij akademik në Leibniz University Hannover, është i fokusuar në kërkime shkencore mbi materialet për ruajtjen e hidrogjenit – një teknologji që konsiderohet thelbësore për tranzicionin drejt energjisë së pastër.
Ai është gjithashtu bashkëthemelues i startup-it HydroSolid, që synon të ofrojë zgjidhje inovative për ruajtjen e hidrogjenit pa përdorimin e materialeve të rralla, duke hapur rrugë për aplikime në industri dhe transport.
Përfshirja e tij në listën e Forbes vjen pas një sërë arritjesh në projekte kërkimore evropiane dhe publikimeve shkencore ndërkombëtare, duke e konsoliduar atë si një nga emrat më premtues në fushën e teknologjisë së gjelbër.
Ndërkohë, për këtë arritje ka reaguar edhe ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila përmes një mesazhi publik ka përgëzuar Smajlajn.
“Urime për Merkur Smajlaj për përfshirjen në listën Forbes ‘30 Under 30 Europe 2026’. Puna e tij në ruajtjen e hidrogjenit dhe inovacionin në energjinë e pastër pasqyron talentin dhe përkushtimin e të rinjve që po formësojnë të ardhmen.Kosova është krenare për arritjen e tij”, shkroi Haxhiu.
Kjo nuk është hera e parë që Smajlaj vlerësohet nga Forbes, pasi më herët ai ka qenë pjesë e listave rajonale, duke dëshmuar një rritje të vazhdueshme në karrierën e tij. /Zëri