Projekti i Kryqit të Kuq sjell kushte më të mira për nxënësit në Drenas

Projekti i Kryqit të Kuq sjell kushte më të mira për nxënësit në Drenas

Aktuale April 15, 2026 - 16:19

Nxënësit e Gjimnazit “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas kanë përmbyllur me sukses projektin “Promovimi i Vlerave Humane (PVH)”, i organizuar nga Kryqi i Kuq i Kosovës dhe i mbështetur nga Drejtoria Komunale e Arsimit.

Ky projekt u finalizua përmes organizimit të një klase verore, e cila konsiderohet një nga nismat më domethënëse për nxënësit pjesëmarrës.

Një nga arritjet kryesore të projektit ishte renovimi i klasës verore, e cila tashmë është rregulluar dhe mbuluar falë mbështetjes së kompanisë Al Trade. Ky investim krijon kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor dhe aktiviteteve edukative në të ardhmen.

Realizimi i projektit u bë i mundur falë angazhimit të desiminatorëve, profesorit Ilir Demaku dhe profesoreshës Ermira Demiqi, të cilët udhëhoqën nxënësit me përkushtim gjatë gjithë procesit.

Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Muhamet Gjoka, drejtori i shkollës, Naim Doberdolani, përfaqësuesi i kompanisë donatore, Artan Ramaj, si dhe përfaqësues nga Kryqi i Kuq i Kosovës – Zyra Qendrore dhe dega në Drenas.

Me këtë rast, drejtori i DKA-së, Muhamet Gjoka, falënderoi nxënësit, profesorët, përfaqësuesit e Kryqit të Kuq dhe kompaninë donatore për angazhimin dhe realizimin me sukses të projektit.

Fjalë përshëndetëse mbajtën edhe drejtori i shkollës, desiminatorët e projektit, nxënësit dhe përfaqësuesit institucionalë, të cilët vlerësuan ndikimin pozitiv të projektit në edukimin dhe vetëdijesimin e të rinjve.

Një falënderim i veçantë iu drejtua kompanisë “Al Trade” për kontributin në realizimin e projektit dhe përmirësimin e hapësirës mësimore, duke u cilësuar si shembull i përgjegjësisë sociale dhe mbështetjes për arsimin./Zëri