Ali Ahmeti i përgjigjet kandidates së VMRO: Kam qenë luftar i lirisë, nuk kam qenë mercenar dhe dezertor

Ali Ahmeti i përgjigjet kandidates së VMRO: Kam qenë luftar i lirisë, nuk kam qenë mercenar dhe dezertor

Aktuale April 30, 2024 - 21:18

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka reaguar pas deklaratës së kandidatës për Presidente të Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkovka, nga radhët e partisë nacionaliste maqedonase, VMRO-DPMNE, e cila ka paralajmëruar krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për luftën e 2001-së. Ahmeti ka pasur disa fjalë për këtë paralajmërim.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti për RTV21 ka kërkuar që të mos përdorën për fushatë elektroale gjërat që lëndojnë dhe që prekin në plagët e kaluara.

“Gjëra që lëndojnë, që gërvishin mbi plagë të vjetra nuk është mirë të shfrytëzohen për fushata elektorale. Duhet të jemi të gjitha palët e vëmendshëm dhe të kujdesshëm në këtë drejtim. E kam thënë disa herë se e kaluara është e dhimbshme, e kaluara nuk duhet harruar por nuk duhet të na përsëritet, kështu që çdokush duhet të jetë i kujdesshëm me deklarata të tilla. Kjo është një ngjarje që ka ndodh, një luftë që ka ndodh, tash po bëhen përafërsisht qerek shekulli…” – ka thënë Ahmeti.

Më tej, Ahmeti ka pasur edhe një mesazh për Siljanovskën që “ ushtarët e UÇK-së nuk kanë qenë mercenarë dhe dezertorë”.

Ai ka thënë se është gabim të hapen faqe që nuk hapen

“Sipas kandidatës për presidente dhe profesoreshë e të drejtës ndërkombëtare UÇK-ja duhet të përgjigjet se ka fituar lirinë, se kanë qenë ushtarë të lirisë dhe nuk kanë qenë mercenarë dhe dezertorë, kanë fituar të drejtën e vete, kanë nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare me NATO-n, BE-në, ShBA-të dhe me presidentin e atëhershëm, i ndjeri Rajkovski si dhe nga unë komandan i UÇK-së. Çdo kush që dëshiron të hap faqe që nuk hapen, unë mendoj se e ka gabim.” – ka thënë ai.

Kujtojmë se në Maqedoninë Veriore janë mbajtur zgjedhjet presidenciale.

Sipas rezultatave, kandidatja e partisë opozitare VMRO DPMNE, Gordana Silanovska Davkova, është ka fituar 40.14 për qind të votave apo mbi 317 mijë vota, ndërkaq në vendin e dytë ka dalur presidenti aktual, Stevo Pendarovski, me 19.92 për qind.

I treti është kandidati shqiptar, Bujar Osmani, nga koalicioni “Fronti Europian” me 13.59 për qind, e i katërti është kandidati tjetër shqiptar nga opozita, Arben Taravari, i koalicionit VLEN me 9.57 për qind.

Maksim Dimitrievski ka marrë 8.69 për qind të votave, i cili pasohet nga Bilana Vankovska, kandidate e partisë “E Majta”, e cila ka 4.46 për qind.

I fundit është renditur kryetari i Komunës së Kumanovës, Stevco Jakimovski me 0.93 për qind.