25-vjetori i Masakrës së Studenicës, Rrahime Zeqiraj rrëfen momentin kur gjeti dy vajzat e saja të vrara në bunar

25-vjetori i Masakrës së Studenicës, Rrahime Zeqiraj rrëfen momentin kur gjeti dy vajzat e saja të vrara në bunar

Aktuale April 13, 2024 - 20:32

Në duar mban fotografinë e tyre.

E kujtimin për to e ka ende të freskët në mendjen e saj.

Njërën 15 e tjetrën 13 vjeç, Rrahime Zeqiraj i humbi dy vajzat e saj 25 vjet më parë.

Me lot në sy, kujton momentin kur ato u gjetën të vrara nga forcat serbe në këtë bunar.

“Enveri tha ato janë vra, i kemi varros, unë qatëherë jam hup. Nuk kam ditë kurgjo për veten. Më kanë qu me marr inkesione. Kur jam kthy unë qetu krejt kanë hezitu hajde të marrim jashtë. Ju thash jo smuj, du me nejt te vorret, mos me than edhe nana s’erdh”, ka thënë nëna e vajzës, Rrahime Zeqiraj.

Ajo nuk lë pa përmendur edhe momentin kur ato i nxorën nga aty.

E frikë e saj kishte qenë që ato ishin përdhunuar.

“Kur i kanë xjerr trupat, i kanë nxjerrë 9 vetë prej bunarit. Çka është kanë ma e frikshme, që jemi tutë, mos kanë qenë të përdhunume, por jo. Ato janë kanë të veshura, qysh i kanë hudh në bunar të pushkatume”, tha ajo.

E kujtimet me dy tezaket i saj i ndau edhe Afërdita Gashi.

“Kam qenë shumë e lidhur se unë isha 7-vjeçare kur kanë lind ato. Tani në shkollë fillore iu blejsha dhurata ndonjëherë, flokët ua lidhsha. Sikur qikat e tezës, sikur motra të vogla i kam pas”, tha Gashi.

Ky përvjetor i mblodhi për t’i falënderuar ata që morën pjesë gjatë nxjerrjes nga bunari të kufomave të 9 martirëve të vrarë nga policia serbe në shtëpinë e Sali Sokol Zeqiraj në Studenicë të Istogut./teve1