Uji depërtoi në shtëpitë e tyre, banorët e lagjes “Prishtina e Re” tregojnë për pasojat

Uji depërtoi në shtëpitë e tyre, banorët e lagjes “Prishtina e Re” tregojnë për pasojat

Aktuale May 20, 2024 - 15:11

Mëngjesin e hershëm të së hënës disa nga banorët e lagjes “Prishtina e Re” janë përballur me vërshime, pas reshjeve të dendura të shiut.

Ekipi i Telegrafit vizitoi disa nga shtëpitë e vërshuara nga uji në këtë lagje, ku banorët treguan shqetësimet e tyre.

Njëri nga banorët, Femi Berisha, tregoi se pas reshjeve të shiut shtëpia e tij dhe e vëllezërve janë vërshuar nga uji, duke shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme materiale.

Ai tha se që nga mëngjesi i hershëm janë duke u përballur me ujin, i cili ka vërshuar katin përdhesë të shtëpive, si dhe bodrumet.

Berisha tha se janë ndjerë të rrezikuar edhe nga energjia elektrike, pasi uji ka arritur të prekë edhe prizat e bodrumit të shtëpisë së vëllait të tij.

“Prej orës 00:00 në mbrëmje ka pas vërshime pa ndërprerë në lagjen ‘Prishtina e Re’, këtu në Hajvali saktësisht rruga ‘Arbanasi’. Meqenëse kemi qenë të rrezikuar nga vërshimet e kam thirr 192 në 06:00 të mëngjesit… kanë ardhur vetëm moralisht mem ndihmu se diçka fizikisht nuk më kanë ndihmu. Ne jetojmë këtu prej vitit 1987 dhe kurrë më të rrezikuar se kësaj here nuk kemi qenë. Kemi qenë të rrezikuar edhe nga rryma… uji ka shku deri në nivelin e 90 cm. E kanë dëmtu shtëpinë time dhe të katër vëllezërve që jemi këtu”, ka thënë Berisha.

Ai tregoi se është hera e katërt që vërshohen nga uji pas reshjeve të shiut, si dhe tha që janë ankuar në Komunë të Prishtinës, por, siç u shpreh ai, zyrtarët e Komunës nuk kanë marrë ndonjë iniciativë për t’u ndihmuar.

Berisha u shpreh se pusetat në rrugë po ashtu janë mbushur plot me ujë dhe ai ujë derdhet në oborret e shtëpive të tyre.

Ai gjithashtu ka një lutje për Komunën e Prishtinës: “Së paku të vijnë këtu dhe me na i rregullu e mos me na lënë…”.

Edhe Fadil Mustafës, banor i kësaj lagjeje, i është vërshuar kati përdhesë i shtëpisë. “Një makinë e larjes mu ka djeg, frigoriferi…”, tha ai.

Mustafa theksoi se problemi pse po vërshohen pas reshjeve të shiut është te bllokimi i një përroi që kalon ngjit me shtëpinë e tij.

Ai tha se një kompani e kabllorit e ka bllokuar rrjedhjen e përroit me një teneqe, uji i së cilës depërton më pas në oborrin e shtëpisë së tij.