Kurti në Stacionin e Policisë në Deçan: Ende nuk ka një të dyshuar për rastin

Kurti në Stacionin e Policisë në Deçan: Ende nuk ka një të dyshuar për rastin

Aktuale November 28, 2021 - 18:09

Pas ceremonisë së varrimit të dy nxënësve që u vranë nga sulmi me armë zjarri në autobusin me nxënës në Gllogjan të Deçanit, kryeministri Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren, njëherit ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministrin i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe atë të Mbrojtjes, Armend Mehaj vizitoi stacionin e Policisë së Kosovës në Deçan.

Atje ai u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti nga i cili i informua me të rejat më të fundit në lidhje me zbardhjen dhe zbulimin e rastit e vrasjes së trefishtë. Nga Drejtori i Policisë, Mehmeti u sigurua se janë duke u bërë përpjekjet maksimale që vrasësi apo vrasësit të kapën sa më parë.

Kurti u shpreh se nga vizita në stacionin e Policisë u njoftua se është shtuar numri i zyrtarëve të cilët janë angazhuar në hetimet dhe hulumtimet mbi rastin dhe se sasia e informacionit po rritet. Edhe pse fatkeqësisht ende nuk e kemi të dyshuarin apo të dyshuarit në emrin apo emrat e tyre të përveçëm, kryeministri Kurti tha se përpjekjet dhe angazhimi janë shtuar në mënyrë vrasësi apo vrasësit të identifikohen dhe të sillen para drejtësisë sa më parë.

" Në anën tjetër mësova që i kanë shtuar përpjekjet. Po rritet sasia e informacionit. Mirëpo fatkeqësisht ende nuk e kemi zgjidhjen kur jemi në prag të 48 orëshit. Por nuk po mungon angazhimi dhe është shtuar numri zyrtarëve të cilët po merren me hetimin e me hulumtimet në mënyrë që i gjithë populli i Kosovës, e në veçanti familjet dhe të afërmit të prehen të qetë duke e sjellur para drejtësisë vrasësin ose vrasësit. Edhe më tej kemi dy, eventualisht, tri pista", ka thënë Kurti

Sot gjatë ditës Qeveria e Kosovës ka dhënë njoftimin se ofron 20 mijë euro shpërblim për informacione që mundësojnë arrestimin e autorit të vrasjeve në Deçan. Qytetarët mund ta bëjnë këtë në numrat e telefonit 0800 199 99 apo 192 dhe adresën elektronike [email protected] Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe. /Zëri