Ben Meir thotë se marrëveshja e Washingtonit do të lehtësojë paksa varfërinë e Kosovës

Aktuale September 08, 2020 - 18:25

Eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Alon Ben Meir, ka komentuar marrëveshjen e arritur në Shtëpinë e Bardhë në Washington, e nënshkruar ndarazi nga Kosova dhe Serbia, në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump.

Ben Meir konsideron se kjo marrëveshje është hapi i parë i një marrëveshjeje ekonomike që nuk guxon të nxirret jashtë kontekstit.

“Mundësimi i lëvizjes më të lirë dhe më efiçiente të njerëzve dhe mallrave do të lehtësojë paksa varfërinë e Kosovës, por marrëveshja nuk tregon se çfarë duhet bërë për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve”, shkruar Ben Meir në Twitter, transmeton Zeri.info.

Ai më tej thotë se për marrëveshjen e nënshkruar nga kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, për normalizim ekonomik, kreditin e plotë e mori menjëherë presidenti Trump.

“Megjithatë, nuk jam i sigurt nëse ai e di se ku gjenden gjeografikisht Kosova dhe Serbia”, potencon eksperti amerikan.

Alon Ben Meir konsideron se anëtarësimi i Kosovës në zonën e “mini-Schengenit” mund të sjellë komplikime për të gjithë anëtarët e saj (Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut).

“Të gjitha palët duhet të jenë të vetëdijshme se si do të mundej kjo të ndikonte potencialisht në përpjekjet për të hyrë në BE, gjë e cila duhet të jetë synimi i të gjitha shteteve të Ballkanin Perëndimor”, thekson në fund eksperti amerikan për çështjet e Ballkanit, Alon Ben Meir.

Më herët, Ben Meir kishte kritikuar numrin e madh të delegacionit të Kosovës në Washington.