Bislimi: Projekti “Ishulli Urban” po zhvillohet pa leje në zonën e mbrojtur të Pallatit të Rinisë

Bislimi: Projekti “Ishulli Urban” po zhvillohet pa leje në zonën e mbrojtur të Pallatit të Rinisë

Aktuale May 23, 2026 - 17:04

Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka akuzuar Komunën e Prishtinës për zhvillim të punimeve të paautorizuara në hapësirën e mbrojtur të Pallatit të Rinisë dhe Sportit, duke theksuar se projekti “Ishulli Urban” është realizuar pa pëlqimet e nevojshme nga institucionet e trashëgimisë kulturore. Në një konferencë për media, sekretari i ministrisë, Bislim Bislimi, tha se nuk ka pasur ndalim të ri të punimeve javën e kaluar, por vetëm kontroll të zbatimit të një vendimi ekzistues të vitit 2024.

Bislimi deklaroi se Inspektorati për Trashëgimi Kulturore kishte ndërprerë punimet që në nëntor të vitit 2024, pasi sipas tij, Komuna kishte nisur aktivitete ndërtimore pa leje në zonën e mbrojtur të Pallatit të Rinisë dhe në Qendrën Historike të Prishtinës.

“Inspektorati për Trashëgimi Kulturore, në nëntor të vitit 2024, ka ndaluar zhvillimin e aktiviteteve ndërtimore nga Komuna e Prishtinës. Këto aktivitete ishin pa leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore në hapësirat përkatëse të aseteve në mbrojtje ligjore. Aktiviteti ndërtimor ka të bëjë me projektin e Komunës së Prishtinës ‘Ishulli Urban’, i cili pjesërisht shtrihet në hapësirën e mbrojtur të trashëgimisë kulturore dhe prek ndërtesën në mbrojtje ligjore”, tha ai.

Sipas tij, projekti prek edhe hapësirën e planifikuar për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit dhe nuk posedon pëlqimet adekuate të institucioneve kompetente. Ai akuzoi komunën se ka lëshuar leje ndërtimore në parcela ku tashmë ekzistojnë të drejta të tjera shfrytëzimi.

“Është me rëndësi të theksohet se Kuvendi Komunal i Prishtinës, me datë 29 prill 2022, ka lëshuar vendim me të cilin caktohet lokacioni për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Në po të njëjtat parcela, Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Prishtinës ka lëshuar leje ndërtimore të kundërligjshme dy vite më vonë. Ka lëshuar leje ndërtimore në një pronë e cila tashmë ka të drejta të shfrytëzimit, domethënë ka lëshuar leje ndërtimore mbi ndërtime të huaja”, deklaroi Bislimi.

Ai tha se, ndonëse institucionet e trashëgimisë kulturore kanë dhënë udhëzime për harmonizimin e projektit me zonën e mbrojtur, këto rekomandime janë shpërfillur nga Komuna e Prishtinës.

“Komuna ka parashtruar kërkesën për pëlqim në institucionet e trashëgimisë kulturore, kërkesë e cila është refuzuar me vendim në dhjetor të vitit 2024. Ky vendim është ankimuar nga Komuna e Prishtinës në organin administrativ të shkallës së dytë dhe kjo ankesë është refuzuar. Megjithatë, Komuna ka rinisur aktivitetet ndërtimore nga muaji janar 2026”, u shpreh ai.

Bislimi tha se institucionet kanë konstatuar edhe largimin e shiritave zyrtarë të ndalimit të punimeve dhe paralajmëroi se veprimet e ndërmarra mund të përbëjnë vepra penale.

“Komuna e Prishtinës, mbi shenjat zyrtare që demonstrojnë masën e ndalimit të përkohshëm të punëve nga autoritetet publike, ka rinisur punimet dhe kjo, përveçse vepër penale e parashikuar në nenin 354 dhe 355 të Kodit Penal, nënkupton edhe vepër tjetër penale, siç është parashikuar në nenin 406 të Kodit Penal, heqja apo dëmtimi i vulave apo shenjave zyrtare”, deklaroi ai.

Sekretari i ministrisë akuzoi edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për deklarata që sipas tij kanë përhapur dezinformata lidhur me rolin e ministrisë.

“Takimi i fundit është mbajtur më 21 maj 2026 në hapësirat e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, ku përgjegjësit e të dy palëve janë dakorduar që nevojitet harmonizimi i tri projekteve. Ndërsa çuditërisht, në të njëjtën kohë sa zhvillohej takimi i profesionistëve me qëllim të gjetjes së zgjidhjes, kemi pasur në media kryetarin e komunës Rama, i cili del me deklarata që nuk i kontribuojnë zbardhjes së të vërtetës”, tha Bislimi.

Në fund, ai theksoi se Ministria e Kulturës dhe institucionet e trashëgimisë kulturore mbeten të gatshme për bashkëpunim me Komunën e Prishtinës në mënyrë që projektet të harmonizohen me ligjin dhe standardet profesionale./EO