Tri problemet që po sjellin çnjohje të Kosovës

Tri problemet që po sjellin çnjohje të Kosovës

Aktuale shtator 10, 2019 - 12:08
Detajet

Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj ditë më parë ka deklaruar se së shpejti 10 shtete të botës mund ta tërheqin njohjen ndaj Kosovës. Nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë kundërshtuar një gjë të tillë, ndërsa ish-drejtues të diplomacisë kosovare e fajësojnë po këtë dikaster qeveritar për tërheqje dhe mossjellje të njohjeve të reja për Kosovën, shkruan gazeta "Zëri".

Ka një vit e gjysmë prejse Kosova nuk ka marrë njohje të re nga asnjë shtet i botës. Kosova është njohur nga 116 shtete, por disa prej tyre, më saktësisht 13 shtete kanë deklaruar se e kanë rishikuar vendimin për njohje dhe rrjedhimisht e kanë tërhequr atë.

Lexo edhe MPJ: Nuk ka paralajmërime për çnjohje
Aktuale shtator 10, 2019

Për njohësin e çështjeve ndërkombëtare Naim Rashiti duke folur për gazetën ka përmendur tri probleme kryesore, të cilat e kanë ngecur Kosovën të marrë njohje të reja e madje edhe të përballet me çnjohje nga disa shtete.

"Janë tri probleme që po i pengojnë këto çështje. E para është që konteksti ndërkombëtar po ndryshon në raport me 2008-n. Miqtë e Kosovës nuk e kanë peshën ndërkombëtare siç e kanë pasur më herët dhe kjo është dëshmuar në rastin e INTERPOL-it në vitin e kaluar. Çështja e dytë ka të bëjë me rritjen e rolit të Serbisë në kontekstin ndërkombëtar viteve të fundit. Dhe çështja e tretë është që politika e jashtme e Kosovës ka mbetur jashtë prioriteteve të çdo qeverie në Kosovë dhe si e tillë na ballafaqon me tërheqje të njohjeve ndërkombëtare", ka vlerësuar Rashiti.

Sipas tij, tërheqjet e njohjeve ndonëse nuk njihen si akte në të Drejtën Ndërkombëtare, ai theksoi se shkaktojnë imazh të keq të Kosovës dhe përderisa ekziston kjo mungesë e aleatëve të Kosovës në kontekstin ndërkombëtar, Kosova do të ketë vështirësi në marrjen e njohjeve të reja.