Samiti i Parisit, më afër dështimit se realizimit
FOTO: Laura Hasani

Samiti i Parisit, më afër dështimit se realizimit

Aktuale June 21, 2019 - 08:03
Lexoni detajet
Image

Ndonëse kanë mbetur edhe 10 ditë deri te mbajtja e Samitit të Parisit, dështimi i tij po duket më afër sesa realizimi. Liderët e shtetit të Kosovës po vazhdojnë të shprehen skeptikë për mbajtjen e këtij Samiti, për të cilin ende nuk i kanë bërë përgatitjet e nevojshme, njëjtë siç po shprehet edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ndërsa njohës të çështjeve politike në vend thonë se edhe në rast të mbajtjes së tij nuk do të ketë rezultate konkrete.

LEXO EDHE: Tri kërkesat e BE-së për vizat

Pas Samitit të Berlinit krerët institucionalë ishin dakorduar për takime koordinuese mes tyre për t’i unifikuar qëndrimet që do t’i shfaqin në Samitin e Parisit në fillim të korrikut, shkruan më tutje "Zëri". 

Mirëpo, përveç një takimi që kanë pasur, ata ende nuk kanë arritur kurrfarë koordinimi për këtë takim.

Së fundmi kryeparlamentari Kadri Veseli është shprehur se nëse liderët nuk i bashkojnë forcat është mirë që të mos shfaqen fare në Paris.

Sipas kryeministrit të Kosovës, ka koordinim të mjaftueshëm institucional për Samitin e Parisit, për të cilin as ai nuk di nëse ka gjasa reale të mbahet.

“Sa i përket Samitit të Parisit, nëse përgatitjet shkojnë mirë me siguri se do të mbahet. Por nëse nuk janë kryer përgatitjet mund të shtyhet. Në Kosovë gjendja është mirë në mes të institucioneve. Kemi koordinim të mjaftueshëm. Kam bërë përpjekje për koordinim. Jemi të ndërtuar mirë”, ka thënë Haradinaj gjatë ditës së djeshme.

Se duhet koordinim mes institucioneve e ka pohuar edhe Violeta Haxholli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ndonëse është shprehur se tema e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë mund të mos diskutohet në Samitin e Parisit për shkak të kushtëzimeve të Serbisë për heqjen e taksës.

“Meqë ka pasur deklarata nga pala serbe se nëse nuk pezullohet taksa në Samitin e Parisit nuk do të pranojnë të flasin për dialog, atëherë po, Samiti i Parisit mund të mos ketë për temë dialogun. Gjithsesi, nëse mbahet pala kosovare është mirë që të paraqitet me një qëndrim shtetëror, duke lënë anash dallimet e përfaqësuesve institucionalë, sepse mund të rrezikojnë të përçojnë mesazhe të ndryshme te pjesëmarrësit dhe te palët në këtë Samit”, ka thënë Haxholli për gazetën “Zëri”.

Edhe njohësi i çështjeve politike në vend, Rasim Alija, ka thënë për gazetën “Zëri” se Samiti i Parisit ka gjasa të mos mbahet për disa arsye, ndër to edhe jostabiliteti i institucioneve të Kosovës.

“Po, Samiti mund të mos mbahet fare. Kjo edhe për faktin që BE-ja është në ristrukturim e sipër, pas zgjedhjeve. E kësaj i shtohet edhe jostabiliteti institucional i Kosovës. Kemi një çakordim total të tri institucioneve që i përfaqësojnë Thaçi, Veseli e Haradinaj. Në anën tjetër kemi një ekip negociator që pothuajse është i padukshëm edhe për nga puna e tij e edhe për nga ndikimi i tij. Krejt në fund kemi ministrin e Jashtëm, i cili vetëm i jashtëm nuk është”, ka thënë Alija.

Në anën tjetër, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka theksuar se Samiti i Berlinit mund të dështojë për shkak të mosseriozitetit në qëndrime që kanë shfaqur krerët institucionalë.

“Besoj që Franca dhe Gjermania, duke parë mosseriozitetin e Kosovës mund të dështojë fare ky Samit. Megjithatë ne kërkojmë nga institucionet e Kosovës përgjegjësi shumë më të lartë për një paraqitje të tillë. Në të kundërtën Lidhja Demokratike e Kosovës po mundohet me mekanizmat e saj të shkaktojë zgjedhje, për arsye se kjo lloj qeverisjeje nuk funksionon, në këtë formë nuk funksionon as shteti dhe nuk mund të prezantohemi as jashtë”, ka deklaruar ajo.

Në një prononcim për “Zërin” Gaxherri ka potencuar se edhe për ta pasur rezultate nga Samiti i Parisit duhet seriozitet, të cilin sipas saj përfaqësuesit e Kosovës nuk e kanë.

“Për të qenë rezultati i duhur duhet që institucionet e vendit të jenë më serioze sesa që janë. Këtu çdo lider që përfaqëson këtë Qeveri, duke përfshirë presidentin, kryeministrin e kryeparlamentarin, janë persona të cilët nuk komunikojnë mes vete, janë persona të cilët më shumë luftën e kanë për ta dëmtuar njëri-tjetrin sesa për të realizuar aspiratat e këtij populli dhe të këtij vendi”, ka thënë ajo.