MASHTI refuzon ankesën e ish-rektores së Universitetit të Mitrovicës, Merita Shala

MASHTI refuzon ankesën e ish-rektores së Universitetit të Mitrovicës, Merita Shala

Aktuale May 07, 2024 - 16:30

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), ia ka refuzuar ankesën e ish-rektores së Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Këshilli Drejtues i këtij universiteti më 7 shkurt 2024, kishte votuar pro shfuqizimit të konkursit të datës 20 qershor 2023, me ç’rast Merita Shala ishte përzgjedhur rektore e universitetit.

Por rreth shtatë muaj pas përfundimit të konkursit, me katër vota pro nga tre anëtarët e këshillit nga radhët e MASHTI-t si dhe një anëtar i brendshëm i universiteti, konkursi u shfuqizua, me arsyetimin se rektorja ishte zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme.

Pas këtij vendimi, Shala ankesën e saj e adresoi në institucionin më të lartë të arsimit në vend, MASHT. Por, sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, ankesa e saj është refuzuar me arsyetimin se ka qenë e pabazuar.

“Komisioni për ankesa të nëpunësve publikë dhe ankesave tjera në MASHTI, pasi ka shqyrtuar pretendimet ankimore të ankueses, duke u bazuar në legjislacionin në fuqi për zyrtarët publike dhe legjislacionin për arsimin e lartë si dhe duke marrë parasysh të gjitha shkresat e lëndës, ka konstatuar se ankesa me numër 778, e parashtruar nga ankuesja Merita Shala me datë 26.02.2024 është e pabazuar dhe si e tillë duhet të refuzohet”, thuhet në vendimin e Ministrisë.

Në vendim gjithashtu thuhet se komisioni vlerësues i ankesave ka vërtetuar se qëndrojnë të gjitha shkeljet e evidentuara nga Këshilli Drejtues i UMIB.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Drejtues të universitetit, të mbajtur më 5 shkurt 2024, kryesuesja e KD-së nga radhët e Ministrisë, Albana Rexha, lexoi para anëtarëve opinionin ligjor të nxjerrë nga MASHTI, ku thuhet se janë bërë pesë shkelje ligjore.

Në një prej shkeljeve të evidentuara thuhet se nuk është respektuar Statuti i Universitetit.

“Komisioni ka vërtetuar se qëndrojnë të gjitha shkeljet e evidentuara dhe të konstatuara nga Këshilli Drejtues i Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë me nr. prot. 239 dt. 7.2.2024, duke përfshirë shkeljet e ligjit material dhe procedural që ka të bëjë me: shpalljen e konkursit në kundërshtim me dispozitat e Ligjit nr. 06/1-114 për zyrtarët publik, organizimin dhe thirrjen e mbledhjeve të Këshillit Drejtues në kundërshtim me ligin dhe procedurën, shkeljen lidhur me mosnjoftimin me rregull të anëtarëve të Këshillit Drejtues lidhur me mbajtjen e mbledhjes së datës 24.07.2023 shkeljet e nenit 21.6 të Statutit të UMIB si dhe shkelja e procedures së votimit të fshehtë në mbledhjen e datës 24.07.2023”, thuhet tutje në vendim.

Pas shfuqizimit të konkursit, këshilli rihapi konkursin e ri për këtë pozitë më 07.02.2024. Në mesin e katër kandidatëve të cilët kishin aplikuar ishte edhe Nurtene Deva.

Ndonëse, Komisioni Profesional i Senatit në raportin e tyre kishin sqaruar se Nurtene Deva nuk i plotëson kriteret për të vazhduar garën, tre anëtarët e MASHTI-t dhe një anëtar i brendshëm kishin votuar pro thirrjes së Devës në intervistë dhe rrjedhimisht vazhdimit të garës për rektor.

Në anën tjetër, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar se Nurtene Deva është e dënuar për vepër penale të korrupsionit, pasi që e njëjta ishte dënuar me 800 euro gjobë nga Gjykata në shtator të vitit 2022, pasi e kishte pranuar kryerjen e veprës penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Më 22 mars Deva u zgjodh rektore e UIMB ani pse e njëjta nuk i kishte dorëzuar dokumentacionet e nevojshme, sipas raportit të komisionit Deva nuk e kishte dërguar raportin e gjykatës përmes së cilit do të dëshmonte se ajo nuk është e dënuar për vepër penale, gjithashtu gjatë intervistim të kandidatëve nuk ishin të pranishëm gjithë anëtarët e Këshillit Drejtues, kështu duke e kundërshtuar neni 19 pikën 1 të Ligjin e Arsimit të Lartë.

“Kandidatët të cilët janë në garë duhet të intervistohen nga të gjithë anëtarët e këshillit”, thuhet në Ligjin për Arsimin e Lartë, ndërsa në këtë mbledhje ishin të pranishëm vetëm gjashtë anëtarë.

Për më shumë detaje mund ta shikoni hulumtimin e plotë me titull: “Kontrabandimi” i rektores në Universitetin e Mitrovicës”.