Tri kërkesat e BE-së për vizat
FOTO: Laura Hasani

Tri kërkesat e BE-së për vizat

Aktuale June 21, 2019 - 08:00
Lexoni detajet
Image

Për një vendim përfundimtar pozitiv për liberalizim të vizave nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian Kosovës i kërkohet t’i dëshmojë përpjekjet e vazhdueshme në sundimin e ligjit, migracionit dhe sigurisë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) po kërkojnë nga Kosova që t’i dëshmojë përpjekjet e saj të vazhdueshme në sundimin e ligjit, migracionit dhe sigurisë, në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv për vendimin përfundimtar të shteteve anëtare për liberalizimin e vizave.

Sipas tyre, procesi i vendimmarrjes në BE për vizat është në vazhdim e sipër, shkruan më tutje "Zëri". 

“Raporti i vitit 2019 ripohon mbështetjen e Komisionit Evropian për ta përfunduar këtë proces si çështje urgjente. U takon Shteteve Anëtare të BE-së që të përfaqësojnë Këshillin e BE-së së bashku me Parlamentin Evropian, për të marrë vendimin përfundimtar. Është e rëndësishme që Kosova t’i dëshmojë përpjekjet e saj të vazhdueshme në sundimin e ligjit, migracionit dhe sigurisë, në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv për vendimin përfundimtar të Shteteve Anëtare të BE-së”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Prishtinë për vizat.

Në anën tjetër, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës shprehen të zhgënjyer me draft-dokumentin e fundit të Këshillit të Ministrave të BE-së, pasi që, sipas tyre, vendi i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për liberalizimin e vizave.

Hoxha: Jemi të zhgënjyer nga BE-ja

“Pikërisht këtu është zhgënjimi ynë, kur tekstualisht pranohet një proces i suksesshëm si zbatimi i 95 rekomandimeve, ndërsa përgjigja ndaj këtij suksesi të përbashkët është se Këshilli e ka në shqyrtim. Jemi të befasuar me këtë përfundim, me këtë gjuhë pa përcaktor e limite kohore ndaj një çështjeje të ndjeshme dhe të rëndësishme për qytetarët tanë. Rruga e përbashkët duhet të vazhdojë dhe liberalizimi të ndodhë sa më parë”, ka deklaruar për “Zërin” ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha.

Sipas saj, në fazën në të cilën gjendet Kosova është e papranueshme që BE-ja vazhdon të shprehë dilema për të arriturat e vendit.

“Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me BE-në për të gjitha sfidat në proces, andaj është e habitshme, kur procesi ka ecur në finalizim shprehen dilema për të arriturat tona, të cilat sipas Këshillit Evropian mund të tejzgjaten dhe humb motivi dhe qëllimi i këtij procesi jetik për qytetarët e Kosovës. Ne kishim dhe kemi përkrahjen e fuqishme të vendeve të BE-së, andaj pritjet janë të mëdha, sepse kemi kryer detyrat tona të shtëpisë”, ka potencuar ajo.

Ndërsa lidhur me përbërjen e re të Parlamentit Evropian dhe perspektivën eurointegruese të Kosovës, Hoxha ka theksuar se zgjerimi i BE-së është proces i pandalshëm dhe asgjë nuk mund ta pengojë këtë proces.

“Nga përbërja e re e Parlamentit Evropian nuk pres rritje të euroskepticizmit, ngase shumicën e përbëjnë prapë përkrahësit tanë më të fuqishëm për pavarësi, zgjerimi i BE-së është proces i pandalshëm, kur kihen parasysh sfidat globale dhe vlerat e BE-së. Ne jemi duke zbatuar të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, jemi duke intensifikuar punën për mënjanimin e çdo pengese në rrugën e përafrimit maksimal me BE-në, për fuqizim të sundimit të ligjit, luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit etj.”, ka thënë ajo.

Hoti: Përbërja e re e Parlamentit, pozitive për Kosovën

Avdullah Hoti, shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, duke folur për procesin e liberalizimit për Kosovën ka deklaruar për “Zërin” se arsyeja kryesore se pse qytetarët kosovarë mbeten të izoluar është për shkak të zhvillimeve të brendshme politike brenda BE-së.

“Pa dyshim se është e padrejtë që qytetarët e Kosovës të mbesin të vetmit për të cilët nuk ka liberalizim të vizave në gjithë Ballkanin. Një moment për liberalizim të vizave e kemi humbur në vitin 2016 për shkak të veprimeve të dhunshme të opozitës së atëhershme dhe të kryeministrit të sotëm, i cili atëherë ka qenë në opozitë. Tash ka edhe arsye të brendshme politike brenda BE-së që e pengojnë liberalizimin e vizave për qytetarët kosovarë”, ka thënë ai.

Mirëpo Hoti vlerëson se përbërja e re e Parlamentit Evropian është pozitive për Kosovën dhe mund të sjellë një vendim pozitiv sa i përket heqjes së vizave.

“Ajo që është pozitive është se në zgjedhjet e fundit të Parlamentit Evropian forcat e qendrës së djathtë prapë janë forca kryesore në BE, që është pro liberalizimit të vizave dhe besoj se kjo mund të arrihet posa të konsolidohen institucionet e ardhshme të BE-së, që të lëvizet më shpejt në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.

Shasha: Integrimi i Ballkanit nuk ndodh deri në vitin 2024

Ndërsa Demush Shasha, nga instituti “Epik”, ka thënë për “Zërin” që në mandatin e institucioneve të reja të BE-së nuk pritet të ndodhë zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2024.

“Në mandatin e institucioneve të reja të BE-së, 2019-2024, nuk duhet shpresuar për zgjerim të BE-së drejt Ballkanit Perëndimor. Mund të pritet progres në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë, të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. E njëjta mund të ndodhë në rastin e Serbisë, nën supozimin e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Në rast të marrëveshjes Kosova nga ana tjetër do të fitojë liberalizimin e vizave dhe, në një skenar optimist, do të fitojë statusin e kandidatit. Statusin e kandidatit mund të fitojë edhe Bosnjë e Hercegovina”, ka thënë ai.

Ndërsa në bazë të konkluzioneve të fundit të Këshillit të BE-së, sipas Shashës, Kosova është vendi i parafundit për anëtarësim në BE.

“Duke marrë për bazë konkluzionet e djeshme të Këshillit të BE-së, si dhe Raportin vlerësues të Komisionit Evropian 2019 për vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është vendi i parafundit sa i përket gatishmërisë për t’u anëtarësuar në BE. Raporti identifikoi si çështje prioritare dhe imediate arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimin e bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, progresin e ndjeshëm në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe depolitizimin e institucioneve publike”, ka shtuar ai.

Prandaj në këtë kontekst Kosova duhet që në një periudhë afatshkurtër të adresojë prioritetet imediate politike, siç janë: arritja e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, vazhdimi i bashkëpunimit me Gjykatën Speciale, progresin e ndjeshëm në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe depolitizimin e institucioneve publike.

Kurse duke folur për liberalizim të vizave, Shasha ka thënë se aktualisht janë disa faktorë të cilët janë duke penguar liberalizimin e vizave për Kosovën, si: mosluftimi i mjaftueshëm i krimit të organizuar dhe i korrupsionit.

Po ashtu, sipas tij, çështja e liberalizimi të vizave nuk është prioritet i institucioneve të BE-së për vitin 2019, si dhe ka mungesë të vullnetit politik për liberalizim të vizave brenda BE-së.